Kryebashkiaku Veliaj vijoi edhe sot me shpërndarjen e paketave ushqimore në Baldushk, Balshaban dhe Mumajes

27/03/2020 19:12

Veliaj: “Në pranverë nisim ndërtimin e shtëpive të reja, që u prekën nga tërmeti”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijoi edhe sot me shpërndarjen e paketave ushqimore në Baldushk, Balshaban dhe Mumajes, në familjet e Avni dhe Genc Allmuçës, Qemal Ballës dhe Mersin Shabanit, të prekur edhe nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kreu i Bashkisë i siguroi ata se për çdo nevojë strukturat shtetërore do të jenë aty. “Kjo është një situatë shumë e vështirë, por është mobilizuar i gjithë shteti. Edhe me ushqimet, edhe me gjërat e tjera. Kështu që, duhet qëndruar brenda. Pastaj, po të keni nevoja të tjera kur të mbarojnë këto ushqime, bjerini telefonit. Tani vetë jam duke shkuar katund më katund, sepse atje në qytet është me kollaj sepse janë të gjithë të mbledhur bashkë. U kam thënë administratorëve të kryeqytetit, aty s’ju jap dorë sepse e keni kollaj, në 100 metra rreze e keni gjithë lagjen. Më mirë po jap një dorë fshatrave që ka edhe pak më shumë distancë”, tha Veliaj.

Me të mbaruar kjo epidemi, puna do të vijojë menjëherë me rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Kreu i Bashkisë u shpreh se të parët që do të përfitojnë janë ato familje që aktualisht jetojnë në çadër. “Ne do të fillojmë shumë shpejt me shtëpitë e reja. Në fakt, i kishim në dorë si procedurë, vetëm se na ndodhi epidemia që na vonoi pak, por jo shumë. Kështu që, do ta kapim pranverën me fillimin e shtëpive të reja. Do fillojmë të parët me ata që janë në çadër dhe në kontenierë. Pastaj, kush është me qira, pret, sepse brenda është, me shtëpi të rregullt. Jemi duke parë gjithë dosjet dhe t’i japim prioritet kush është më nevojtar. Pra, kush është në çadër, kush është në kontenier sepse vetëm kështu e zgjidhim”, tha Veliaj.

Krahas familjeve që janë të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, grupet e punës të ngritura nga Bashkia e Tiranës vijojnë çdo ditë me shpërndarjen pranë banesave të pakove ushqimore për njerëzit në nevojë, pensionistët dhe për ata që janë në listat e ndihmës ekonomike

Top Channel