Kosovë/ Vitia flet për gjendjen e pacientëve me CoVid-19: 7 në gjendje të rënduar, por jo në rrezik për jetën

27/03/2020 09:47

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarët të Republikës së Kosovës, duke qëndruar në shtëpi, në mënyrë që sistemi i shëndetësisë të mos pësojë kolaps, ashtu siç ka ndodhur me disa nga vendet në Evropë.

Nga 126 shtretër në Klinikën Infektive, Vitia tha se janë të shtrirë 32 persona, prej të cilëve 7 janë në gjendje më të rëndruar, por jo të rrezikshme, ndërsa të tjerët janë duke u trajtuar dhe janë në gjendje të mirë.

Vitia tha se të gjithë të identifikuarit e fundit në terren janë raste të kontaktit, të cilët janë gjetur falë punës së madhe të epidemiologëve dhe të mjekëve nëpër Qendrat e Mjeksisë Familjare në gjithë Kosovën.

“Po thuajse të gjitha rastet deri tani janë identifikuar falë epidemiologëve dhe mjekëve në terren nëpër QMF. Deri më tani kemi 86 të identifikuar, të cilët pothuajse të gjithë janë raste që kanë pasur kontakte me të infektuarit”, u shpreh Vitia.

Ndërsa, lirimi i hapësirave për të siguruar shtretër, Vitia tha se ka filluar pa dalur ende asnjë rast pozitiv në Kosovë.

Ai shtoi se deri më tani vetëm në Prishtinë kanë të gatshëm mbi 500 shtretër, e ndërsa janë ende duke punuar që të sigurojnë më shumë se 1 mijë shtretër, për të cilat tha se shpreson se nuk do të jenë asnjëherë të nevojshëm.

“Ende pa filluar asnjë rast pozitiv, kemi filluar menjëherë të takohemi dhe diskutojmë, deri më tani mbi 500 shtretër vetëm në Prishtinë, edhe spitalet private dhe ato regjionale kanë ofruar hapësirat e tyre. Shpresojmë që t’i kemi më shumë se 1000 shtretër, për të cilët shpresojmë se nuk do të kemi nevojë”, tha Vitia.

Megjithatë, Vitia tha se edhe vendet me sistemin shumë më të mirë shëndetësor se Kosova kanë pësuar kolaps, prandaj e vetmja mënyrë për të ndihmuar është duke qëndruar në shtëpi, në mënyrë që edhe sistemi shëndetësor të mos ngarkohet.

“I kemi parë edhe Italinë e shtetet tjera, me një sistem shëndetësor që e dimë sa të avancuar e kanë, edhe janë para kolapsit, e si mund të jetë me neve nëse ndodh ajo. Prandaj ne i kemi marrë të gjitha masat paraprakisht, që të mos e ngarkojmë sistemin shëndetësor, sepse sistemet e tjera nuk e kanë përballuar e lëre më ne”, tha Vitia duke lutur qytetarët të qëndrojnë brenda.

Sa i përket shtetasve kosovar që janë jashtë Kosovës, Vitia tha se numri i atyre që kanë kërkuar të kthehen tashmë është dukshëm më i vogël, pas thirrjes që bëri ministri i Jashtëm dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, duke kërkuar që të kthehen vetëm ata të cilët e kanë të domosdoshme.

Në fund, ai tregoi po ashtu se po presin që të arrijë një kontingjent i pajisjeve mbrojtëse nga UNICEF-i në Kosovë, e që po ashtu nga Turqia do të nisen një kontingjent tjetër shumë shpejt, prandaj nga qytetarët tha se nuk kanë nevojë për ndihmë materiale, por që të qëndrojnë në shtëpi.

“Nuk kemi nevojë për ndihma materiale, sa kemi nevojë që të qëndroni në shtëpi”, tha Vitia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA