I burgosuri në Korçë: Kemi shenja të virusit, askush nuk interesohet për ne

27/03/2020 21:11

Një i burgosur në Drenovë të Korçës ankohet se ka shenja të koronavirusit, por askush nuk e ka vizituar. Fitim Niklekaj, i dënuar për vrasje ka telefonuar në redaksinë e emisionit Fiks Fare  dhe thotë se në burgun ku është aktualisht ka shumë të sëmurë, por askush nuk kujdeset për ta. “Kam dy javë që kam bërë kërkesë të spitali, jam i sëmurë në mushkëri.

Kam bllokim të frymëmarrjes, nuk më çon njeri në spital. Një tjetër është i sëmurë, nuk e çojnë në spital, nuk ka doktor, asnjë send. Edhe numrat i kanë bërë me thirr vetëm familjarët që i kanë deklaruar. Njërit i ka dalë shpirti në korridor, ja po bën llafe, ja për këtë punë po bën llafe” thotë ai, ndërsa pohon se në momentin që po fliste me Fiks Fare në mes të korridorit kishte të dënuar shtrirë.

“Ja në mes të korridorit ka të dënuar. Shkoi grupi i gatshëm që është këtu dhe nuk ka njeri çfarë i bën. Këto janë te burgu i Drenovës, siguri e lartë. Nuk e di, këtu është bërë një kaos i paparë, njerëzit janë të sëmurë, gjithë natën i ke pa gjumë. Gjithë natën rrinë duke kërkuar ilaçe, s’ka ilaçe. Nuk do kush me dit për ta. Ja edhe tani po bëhet i njëjti debat, në këto çaste. Bukë e ushqime këto lloje gjërash janë pisllëk fare.

Takimet i kanë ndërprerë, takime s’ka” thotë ai, ndërsa ankohet edhe për ujin e çezmës që shkon i turbullt në burg. Më tej ai pohon se në burg ka edhe personel që dyshohen se janë të prekur nga virusi. “Ka kap edhe një polic edhe një infermier të burgut, flitet se i ka kapur Korona. Dhe këtu ka njerëz që vuajnë për ilaçe, për mjekësi. Këtu s’merret kush me asnjë gjë. Ushqimin e bien skandal, sikur e sjellin për kafshë ose për derra. Shpresojmë të vij një kontroll nga Ministria e Drejtësisë dhe të inspektojnë çdo gjë që bëhet, çfarë higjiene ka, çfarë pastërtie ka, çfarë ushqimi ka” përfundoi ai.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA