Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka filluar fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës duke përmendur punët e bëra deri më tani duke thënë që është shumë krenar me kabinetin e tij.
“Qeveria e re e Kosovës sot ndodhet në ditën e 50-të të punës së saj, të gjithë e pamë sesi jo vetëm që nuk kishim ditë, 100 ditë për ta dëshmuar vetën tonë por nuk i patën as 100 orë, e sot 50 ditë më vonë mund të them se jam krenar me këtë kabinet qeveritar dhe të arriturat e tij”, tha Kurti.
Në seancën kur pritet të votohet mocioni për mosbesimin e qeverisë së tij, Kurti përmendi, shkarkimet e bordeve, zvogëlimin e pagave, shkarkimin e koordinatorëve si dhe disa vendime të tjera.Kryeministri tha se me rrëzimin e kësaj qeveria më së shumti e pësojnë qytetarët e Kosovës sepse i lë ata pa qeverinë të cilën e ka votuar.
“Mu nuk mu dhimbset kjo qeveri, e aq më pak vetja, por më dhimbset njerëzit se çka po iu bëhet me këtë mocion mosbesimi. Ky mocion synon ta lë popullin pa qeverinë që ai e ka votu. Po e lë popullin pa qeveri reformatore që padyshim se e lufton korrupsionin dhe e ka seriozisht qëllimin për punësimin e grave dhe të rinjve. Po doni ta lini popullin pa qeveri, në mes të përhapjes së pandemisë së Coronavirusin në javën më të rëndësishme në një menaxhimin tonin i cili është shembull”, tha ai.
Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit po përmenden si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.
Top Channel