Këshilla për të shmangur dhimbjet e shpinës kur punoni nga shtëpia në kompjuter

25/03/2020 14:32

Në kohën kur bota po përballet me koronavirusin COVID-19, shumica e njerëzve kanë nisur t’i kryejnë punët e tyre nga shtëpia.

Por, kur kaloni orë të tëra ulur para kompjuterit, e sidomos në karrige që nuk janë anatomike, mund të ndikojë negativisht në shpinë.

“Shumë njerëz nuk i kanë karriget e duhura, dhe puna për periudha të gjata kohore në hapësira kuzhine apo nëpër tavolina të ditës nuk është e mirë për trupin dhe për shëndetin tuaj në përgjithësi”, ka thënë Eric Robertson, terapeut fizik dhe zëdhënës i Shoqatës Amerikane për Terapi Fizike, për “CNBC Make It”.

Më poshtë ju sjellim disa këshilla se si të qëndroni ulur në mënyrë më të rehatshme duke mos i shkaktuar dëme shëndetit tuaj.

Ndërrojeni shpesh pozitën

Është qenësore për ju që të ndryshoni pozitën vazhdimisht, sepse të qëndrosh ulur në një pozitë gjatë gjithë ditës mund të çojë në dhimbje shpine, qafe e krahësh. Për shembull, mund të nisni ditën në tavolinën e kuzhinës, më pas kaloni në sofan tuaj të butë. Më së miri është që këto ndryshime t’i bëni çdo 1 orë, thotë Robertson.

Vendoseni një jastëk nën ulëse

Vendosja e një jastëku të hollë në karrige mund ta bëjë karrigen tuaj të zakonshme në shumë më të përshtatshme, thotë Robertson. Nëse nuk keni jastëk, mund ta palosni një peshqir të trashë i cili do ta ketë efektin e njëjtë.

Edhe vendosja e një peshqiri të butë në mbështetëse të karriges mund të ndihmojë në qëndrimin tuaj më të rehatshëm.
Nëse keni probleme me pjesën e poshtme të shpinës, vendosni edhe aty një jastëkë që mund të ju ndihmojnë shumë. Nuk keni nevojë të blini jastëkë të shtrenjtë për ta arritur efektin: rekomandohet mbështjellja e një peshqiri dhe vendosja e tij në mes të karriges dhe pjesës fundore të shpinës.

Ngrini këmbët lart

Nëse i ngrini këmbët lart kohë pas kohe, ky proces rrit qarkullimin e gjakut dhe ju bën të ndiheni mirë. Më idealja do të ishte që ijët dhe kofshët tuaja të formojnë kënde 90 shkallë kur të uleni në karrigen tuaj, por mund t’i lëvizni këmbët përpara dhe mbrapa për stërvitje.

Lëvizeni laptopin

“Laptopët asnjëherë nuk do të jenë mjaftueshëm ergonomikë, sepse monitori ose është shumë poshtë ose tastiera do të jetë shumë lart”, thotë Robertson.

Idealja do të ishte që pjesa e sipërme e monitorit tuaj të jetë vetëm pak nën nivelin e syve tuaj, në mënyrë që të mos keni nevojë ta sforconi qafën për të lexuar. Nëse punoni në një detyrë që kërkon shumë kohë leximi, vendosni laptopin tuaj mbi ndonjë objekt (si psh mbi ndonjë libër apo kuti këpucësh) në mënyrë që të jetë në nivel me syrin. Pastaj, kur të keni nevojë të shkruani, uleni atë në nivelin që ju mundëson që krahët tuaj të jenë në kënde 90 shkallë.

Bëni pauza

Shumica e njerëzve bëjnë pauza për të ecur kur janë në zyrë, por kur jeni në shtëpi “keni njëfarë tendence për të qenë vetëm të përqendruar”, dhe kështu mund të harroni. Vendosni një përkujtues në telefonin tuaj çdo 30 minuta për të bërë pauza nga 3 deri në 5 minuta. Ngrihuni dhe ecni përreth, apo bëni ushtrime të zgjatjes së muskujve në tavolinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA