Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka përshëndetur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e plotë të tarifave doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke filluar nga 1 prilli i këtij viti.

Kjo bëhet e ditur në një deklaratë te përbashkët të lëshuar për media të hënën në mbrëmje nga zëdhënësit e qeverive gjermane dhe kosovare. Sipas deklaratës, kancelarja gjermane përkrah dialogun e drejtuar nga BE-ja me synim mënjanimin e të gjitha barrierave jotarifore tregtare midis Serbisë dhe Kosovës.

“Merkel dhe Kurti kanë qenë të dy të mendimit se në raportin mes Serbisë dhe Kosovës nuk duhet të ketë hapa prapa. Kancelarja gjermane dhe kryeministri i Kosovës janë shprehur për një vazhdim së afërmi nga ana e qeverise se Kosovës të dialogut të normalizimit. Synimi i dialogut duhet të jetë një marrëveshje juridike detyruese për normalizimin e plotë të raportit mes Kosovës dhe Serbisë që do t’i shpërbejë popullsisë së të dy vendeve”, thuhet në deklaratë.

Komunikimi i parë zyrtar mes kancelares Merkel dhe kryeministrit Kurti, ishte parashikuar të ndodhte ndryshe. Kurti do të vizitonte Berlinin por vizita u anulua për shkak të krizës së pandemisë së koronavirusit. Fillimisht mendohej se krerët e dy qeverive do të komunikonin në videokonferencë, por biseda u bë me telefon, pasi kancelarja gjermane ndodhej në shtëpi, e vetëkarantinuar. Testimi i parë për koronavirus rezultoi negativ por ajo do të vazhdojë të qëndrojë në izolim dhe do të testohet sërish ditët e ardhshme.

Top Channel