Shoqata e pacientëve në Kosovë: Thikë pas shpine për qytetarët, nuk është koha për rrëzimin e qeverisë!

19/03/2020 11:36

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) reagoi pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke e cilësuar të “pakuptueshme dhe të pafalshme prishjen e koalicionit në një kohë të tillë, duke i lënë qytetarët në mëshirën e COVID-19 dhe “heronjtë nëpër instikame”.

Përmes një deklarate për shtyp, kjo shoqatë u shpreh se i ka ndjekur me shqetësim të madh lajmet se koalicioni qeverisës po shkon drejtë shkatërrimit, e kjo pikërisht atëherë kur prej tij pritej që të ishte më i bashkuar se kurrë.

“Në kohën kur COVID-19 është shpallur pandemi globale nga OBSH, e kur ky virus po merr jetë të shumta njerëzish në shumë shtete, madje edhe në shtete të fuqishme, partnerët e koalicionit qeverisës kanë komoditetin të merren me politikë. Duke e ditur se Kosova ka një shëndetësi nën nivel dhe shëndeti publik është i kërcënuar seriozisht, kjo që po ndodh mund të quhet ‘thikë pas shpine’ për qytetarët”, thuhet në deklaratë.

Për Kosovën tani nuk ka asgjë më shumë rëndësi se sa mbrojtja nga COVID-19; as taksa, e as kush fiton politikisht, theksohet më tej në deklaratë. Kryeministri Albin Kurti shkarkoi një ditë më parë ministrin e brendshëm nga radhët e LDK-së, Agim Veliu i cili doli kundër qëndrimit të qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kurti tha se Veliu, “ka përhapur panik me pretendimet se numri i te infektuarve me koronavirus po rritet nga ora në orë”, teksa kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, paralajmëroi me nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë.

Top Channel