Pacienti i parë i prekur nga Koronavirusi në Shqipëri është drejt shërimit. Lajmin që Top channel e dha ekskluzivisht gjatë edicionit qendror të lajmeve të orës 19.30, u konfirmua më pas edhe nga autoritetet. Tamponi i parë i pacientit ka dalë negativ, ndërsa duhet të priten edhe 48 orë për analizën e dytë.

Bëhet fjalë për 54 vjeçarin, babain e djalit që ishte pacienti zero dhe që erdhi nga Firence në Shqipëri dhe që u konfirmua 10 ditë më parë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Kryeministri reaguan pas këtij lajmi. “Pacienti i parë nis rrugën e shërimit nga COVID -19”, tha Manastirliu.

Për kryeministrin Rama, nëse edhe testi i dytë pas 48 orësh del negativ atëherë do të kemi të shëruarin e parë në Shqipëri. “Të presim dhe të lutemi që Zoti tu japë forcë të sëmurëve dhe heronjve me bluza të bardha, në vijën e zjarrit me Armikut. Durim dhe Besim”, shkruan Rama.

Ndërkohë një lajm tjeter i mirë në mbrëmjen e djeshme erdhi edhe nga Fieri. Kanë dalë negative rezultatet e analizave për 17 mjekët, infermierët dhe stafin ndihmës të Spitalit atje që u vetëkarantinuan pas rastit të një 61 vjeçareje të infektuar me COVID-19, e cila nuk deklaroi që kishte ardhur nga Italia dhe kish marr ndihmë në këtë spital. Pas analizave stafi i spitalit të Fierit u rikthye në punë.

Top Channel