Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka deklaruar sot pas bisedave që i kishte pasur me kancelarin austriak Sebastian Kurz, Komisionerin për Zgjerimin e Politikës së Fqinjësisë, Oliver Varheli dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, se situata e pandemisë së coronavirusit është një mundësi e mirë të tregohet se “jemi të bashkuar dhe përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve evropiane”, duke theksuar se Mali i Zi po vepron në atë frymë dhe pikërisht për këtë arsye i ka vënë në dispozicion portet e saj detare për shtetet e rajonit.

“Varet nga ne, udhëheqësit e rajonit, të japim shembull dhe të marrim vendime si fqinjë të mirë të cilët mund të mbështeten tek njëri-tjetri. Në këtë frymë, Mali i Zi, përveç masave të shumta që i ka ndërmarrë për të mbrojtur qytetarët e saj, ka marrë vendim që portet e saj t’i vë në dispozicion për vendet e rajonit me qëllim të qarkullimit të mallrave dhe t’i mbajë kufijtë e saj të hapur për tregti dhe furnizim. Mendoj se fillimisht duhet ndihmuar qytetarët dhe besoj se mbyllja e tregjeve dhe ekonomive, bllokimi i burimeve dhe pagesat për mallra, nuk janë shprehje e solidaritetit ose vlerave evropiane. Në këto momente, përballë kësaj krize të vështirë, kemi nevojë për ide evropiane të unitetit si kurrë më parë”, ka deklaruar Markoviq gjatë një video konference. “Jemi të kënaqur që procesi ka një dimension të fortë politik dhe strategjik që do të kontribuojë në një integrim më të mirë dhe më dinamik. Dëshiroj të theksoj pritjet tona që Maqedonia e Veriut dhe Shqipërisë, do t’i jepet drita e gjelbër për të filluar negociatat. Përparimi i Bosnjës dhe Hercegovinës drejt Bashkimit Evropian është gjithashtu thelbësor për rajonin në një projekt afatgjatë. Varet nga ne në rajon nëse do të vazhdojmë me reformat dhe të veprojmë në një mënyrë evropiane për të adresuar çështje të tilla siç është ajo e fqinjësisë së mirë”, shtoi kryeministri malazez. /Telegrafi/

Top Channel