Veseli: Prishja e raporteve me Amerikën lë pasoja më të mëdha se koronavirusi

17/03/2020 17:14

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos veprim të duhur në raport me gjendjen e krijuar si pasojë e koronavirusit në vend dhe në raport me marrëdhëniet me aleatin strategjik SHBA-në.

Ai në një postim në Facebook shkruan se situata e krijuar nga pandemia në vendin tonë është shumë komplekse dhe do të ketë konsekuenca shumëdimensionale, ndërkohë që Qeveria nuk po mund ta kuptojë rolin e vet në këtë gjendje të jashtëzakonshme.

Veseli thotë se në situatën aktuale Kosova, përveç pasojave momentale, do t’i ketë edhe pasojat afatgjate për të ardhmen, në kontekstin ekonomik dhe politik.

“Shumë ndërmarrës, punëtorë, prodhues, hotelieri, tregti, nëse lihen kështu si deri më sot dhe nuk ndihmohen me një plan të qartë, të shpejtë dhe konkret, mund të dëmtohen rëndë nga ky injorim i Qeverisë së Kosovës”, shkruan Veseli.I pari i partisë më të madhe opozitare kujton se shtetet e fuqishme menjëherë kanë fokusuar programet e tyre qeverisëse në parandalimin dhe sanimin e pasojave fatale për ekonominë dhe shtetin e tyre në të ardhmen, dhe se një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe Qeveria e Kosovës.

“Qeveria jonë dhe kryeministri, duhet ta kuptojnë se kjo është detyra e tyre para qytetarëve. Ekonomia dhe bizneset e vendit tonë nuk duhen injoruar, nuk duhen harruar, nuk duhet lënë pa ide dhe vendimmarrje në këtë situatë, siç po ndodh aktualisht”, ka thënë Veseli.

Për më tepër, ai ka vënë theksin edhe në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, duke thënë se antiamerikanizmi i Qeverisë Kurti po i shkatërron këto marrëdhënie dhe po i largon investitorët amerikanë nga Kosova.

“Kjo mund të jetë me pasoja shumë më të rënda e më të mëdha sesa koronavirusi. Sidomos tash, kur na është bërë e ditur sa vlen ndihma e miqve në kohë të vështira. Kjo Qeveri dhe ky kryeministër duhet të punojnë mirë dhe mençur, e të mos e rrezikojnë vendin”, porosit ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Top Channel