Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, gjatë një bisede me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shprehu gatishmërinë e institucioneve evropiane për të mbështetur rajonin në trajtimin e situatës së koronavirusit.
Iniciativa e një video-konference të krerëve të qeverive të rajonit me komisionerin Varhelyi, thotë REL, ishte e kancelarit austriak, Sebastian Kurz. Gjatë bisedimeve, komisioneri europian njoftoi se KE po analizon mënyrat sesi ta lidhë rajonin me masat e marra nga BE-ja për të luftuar virusin Sars-Cov-19.
“Ne po shqyrtojmë mundësitë se si të ndihmojmë rajonin në zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të pandemisë, duke përfshirë shikimin e mundësive për të riorientuar financimet përmes IPA dhe për të treguar fleksibilitet në rregullat e ndihmës shtetërore”, tha Varhelyi në llogarinë e tij në Twitter.
IPA është instrumenti i paraanëtarësimit në Bashkimin Europian. Komisioneri i zgjerimit theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, dhe tha se tani është me rëndësi të madhe të miratohet hapja e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mbrëmjen e së hanës, BE-ja konfirmoi se po shqyrtonte mënyrat për të ndihmuar vendet në rajon të luftojnë kundër përhapjes së koronavirusit të ri.
Top Channel