Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit me Komisionin komunal për emergjenca në parandalim të koronavirusit Covid19, ka ftuar qytetarët për kujdes maksimal, por pa shkaktuar panik pasi gjendja momentale është nën kontroll dhe në këtë komunë nuk është shënuar asnjë rast me këtë sëmundje.

Haziri ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin maksimal që kanë treguar këtyre ditëve sikur që ka falënderuar edhe komunitetin e biznesit dhe të gjitha institucionet e përfshira në planin e veprimit për parandalim të virusit. “Me këtë nivel të kujdesit që kemi deri tani, duhet të vazhdojmë edhe më tutje, kryesisht në higjienë, masa mbrojtëse dhe në qëndrim në shtëpi.

Ekipi i emergjencës është në një përbërje të gjerë të institucioneve të përfshira në këtë mobilizim për parandalim. Kemi profesionistë të të gjitha fushave që të trajtojmë profesionalisht dhe teknikisht si duhet çdo rast eventual që mund të paraqitet”, ka thënë Haziri.

Ai ka kërkuar nga bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë, që ta bëjnë testin dhe t’i ndihmojnë qytetarët në mbrojtjen nga COVID19.
“Hyrjet e qytetarëve nga Maqedonia Veriore, por edhe nga Serbia janë shumë të vogla në numër. Jemi të mobilizuar me mbështetjen edhe të të gjitha fshatrave të Gjilanit dhe më gjerë, është duke u menaxhuar shumë mirë deri më tani dhe lusim të gjithë bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë, që të bëjnë testin dhe të na ndihmojnë në mbrojtjen nga COVID19”, u shpreh Haziri.

Për më tepër, ai ka siguruar qytetarët se furnizimet me ushqime nuk do të mungojnë dhe se nuk ka nevojë të bëhen grumbullime të ushqimeve të tepërta. Ai gjithashtu ka potencuar se në ekipin komunal të emergjencës ka përfaqësues të profesioneve të ndryshme dhe të përgatitura për t’u përballur me këtë virus.

“Kemi mikrobiolog, biokimista, epidemiolog dhe stafin e përgatitur në të gjitha fushat për të garantuar shëndetin e qytetarëve të Gjilanit dhe regjionit”, ka shtuar Haziri. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA