Kosovë/ ​Masat kundër koronavirusit, do të ketë angazhim të gjithë stafit të kualifikuar shëndetësor në nivel vendi

15/03/2020 16:30

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se i gjithë personeli shëndetësor, i cili është angazhuar ditëve të fundit për menaxhimin e situatës me koronavirus, do të paguhet për orët shtesë.

Ai ka bërë të ditur se i gjithë personeli shëndetësor i kualifikuar në nivel vendi, e që nuk është i punësuar në institucione publike apo private, do të angazhohet dhe se do të shpërndahen në të gjitha komunat.

“Është adresuar kjo çështje në mbledhjen e ardhshme të qeverisë dhe kjo çështje do të rregullohet. Edhe për të siguruar pagesat shtesë për stafin shëndetësor që është duke punuar nga 15 orë. Do ta bëjmë kërkesën që të aktivizojmë stafin shëndetësor që momentalisht nuk është i angazhuar në institucionet publike apo private. Krejt personeli shëndetësor i kualifikuar në nivel vendi do të angazhohet së shpejti me një plan operativ të shpërndarë në të gjitha komunat”, tha Hoti.

Hoti i është përgjigjur edhe partive opozitare që kanë kërkuar që 25 milionë euro të ndahen për menaxhimin e koronavirusit. Ai tha se kjo është arsyeja se pse kanë kërkuar që me procedura të përshpejtuara të miratohet buxheti, ku buxheti 2.4 miliardësh i Kosovës është në funksion të menaxhimit të situatës. Në Kosovë deri më tani janë shënuar pesë raste me koronavirus.

Top Channel