5 raste me koronavirus në Kosovë/ Presidenti Thaçi anulon zgjedhjet që do të mbaheshin sot në Podujevë

15/03/2020 01:44

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë bëri të ditur se në orët e mbrëmjes janë konfirmuar edhe dy raste të tjera të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar në 5 numrin e personave të infektuar.

Një rast është nga fshati Stubëll i komunës së Vitisë, një burrë 42 vjeç që kishte qenë në kontakt me një 77 vjeçar që u konfirmua të premten si i prekur me COVID 19. Rasti i dytë i konfirmuar të shtunën mbrëma është një 37 vjeçare, shtetase e Kosovës me qëndrim në Breshia të Italisë, e cila kishte hyrë në Kosovë më 1 mars nëpërmjet aeroportit të Prishtinës.

Autoritetet thanë se që nga “tetë shkurti dhe deri më sot janë testuar gjithsej 207 mostra të dyshimta dhe pesë syresh rezultuan pozitive”. Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, tha se gjendja e të prekurve është e qëndrueshme.

Pas konfirmimit të rasteve, qeveria e Kosovës vendosi të mbyllë të gjithë kufijtë tokësor dhe linjat ajrore si dhe hyrje – daljet në komunat e Klinës dhe të Vitisë, dy qytete këto ku janë paraqitur rastet me koronavirus.

Po ashtu qeveria tha se ka ndërprerë transportin ndër urban në Kosovë si dhe transportin e organizuar ndërkombëtar. Të shtunën, presidenti i Kosovës vendosi edhe shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e komunës së Podujevës, që duhej të mbaheshin sot.

Top Channel