Një ish mjek i sistemit shëndetësorë britanik, NHS, i bllokuar aktualisht në Italinë e goditur nga koronavirusi i është lutur qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që ‘të mbyllë gjithçka’ në vazhdën e përpjekjeve për të luftuar infeksionin e rrezikshëm.
Profesori Mohamed Abu Hilal, i cili tani punon në Brescia, në veri të Italisë, u bëri thirrje zyrtarëve të NHS që të përgatisin më shumë shtretër, mjekë dhe infermierë, duke i nxitur të marrin masa paraprakisht, nisur nga “fiaskoja”, siç thotë ai, e vendit më të infektuar në Europë.
“Miqve të mi anembanë globit! Covid 19 është serioz, duket sikur jemi në luftë! Njerëzit po vdesin dhe jo vetëm të moshuarit. Shtretërit e spitaleve janë plot! Qeveritë duhet të mbyllin çdo gjë, të përgatisin shtretër të rinj, ventilatorë, anti-virale, mjekë e infermierë. Njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi”, ka shkruar doktor Abu Hilal. Në Itali, ndërkohë, ritmi i infektimeve duket i pafrenueshëm.
12 mijë janë tashmë të prekurit dhe 827 viktimat. Në Bergamo, nuk mundesh as të vdesësh, shkruanin me ironi disa media vendase, sipas të cilave, brenda 18 ditësh, koronavirusi në këtë zonë mori jetët e 142 personave dhe morgu është mbushur plot. Pas rasteve në redaksitë e Sky Tg24 dhe programit të Mediasetit, Le Iene, edhe e përditëshmja La Stampa ka regjistruar rastin e parë të koronavirusit mes njërit prej punonjësve të saj.
Ambjentet e gazetës janë mbyllur përkohësisht, megjithatë aktiviteti i redaksisë vazhdon online. Mësohet se drejtuesit e gazetës, me të mësuar se punonjësi ishte prekur nga Covid 19, kanë informuar menjëherë autoritetet, dhe aktivizuan me shpejtësi protokollin e brendshëm të sigurisë. Zyrtarët e shëndetit publik dhe epidemiologët nuk kanë ende një mendim të përbashkët për shkallën e vdekshmërisë së virusit COVID-19; parashikimet e tyre shkojnë nga 1 deri në 3.4 për qind të personave të infektuar. Kjo, thonë virologët, nuk është për t’u habitur pas është fjala për një virus të ri.
Rritja e shpejtë e vdekjeve në Itali sakaq ka tejkaluar edhe skenarin më të keq, por zyrtarët e shëndetit publik thonë se numri i të vdekurve nuk është i jashtëzakonshëm nëse merret parasysh se Italia ka një popullsi të madhe të moshuar, pasi gati një e katërta e italianëve janë mbi 65 vjeç.
Top Channel