Pavarësisht që në Kosovë nuk ka ndonjë rast të prekur me koronavirus, pas shpalljes së pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka filluar me masat parandaluese për këtë virus.

Nga Forca e Sigurisë së Kosovës janë kërkuar tre kontejnerë për nevoja të ekipeve mjekësore në pikat kufitare, dhe sigurimi i hapësirave që do të përdorën për karantinë nëse identifikohet rasti i parë i prekur. Ish-spitali i KFOR-it në Prizren, Qendra e Azilit në Vranidoll dhe objekti i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Ferizaj, janë lokacionet që po shqyrtohen si të përshtatshme për karantinë.Ministria e Mbrojtjes në Kosovë nga sot nuk pranon vizitorë dhe takimet aty do të mund të zhvillohen vetëm me leje të veçantë nga ministri dhe komandanti i Forcës, pas vlerësimit të rëndësisë së vizitës. Mjete higjienike të shtuara janë vendosur në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, derisa stafi ka rritur kujdesin duke zbatuar planin e shtetit në ndërmarrjen e masave paraprake kundër koronavirusit.

Madje, në objekt mund të futesh vetëm me leje nga udhëheqësit e institucionit, meqë si masa parandaluese kanë ndërprerë të gjitha vizitat dhe takimet.Ministria e Mbrojtjes është pjesë e dy komiteteve që janë themeluar në nivel vendi për shkak të situatës së krijuar rreth përhapjes së mundshme të koronavirusit në Kosovë.

FSK është në gatishmëri që të ndihmojë vendin në aspektin logjistik, ndërkohë që i është kërkuar të sigurojë hapësirat që do të përdoreshin si karantinë në rast nevoje.Këtë e tregon për KosovaPress, drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kolonel Xhevdet Tahiraj.

“Nga ne është kërkuar sigurimi i hapësirave për karantinë të cilat do të përdoren për personat të cilët mund të jenë të dyshimtë për infektim me koronavirus. Në komitet i kemi diskutuar tre lokacione, lokacioni i parë është objekti i ish-spitalit të KFOR-it gjerman në Prizren, objekti i dytë është Qendra e Azilit në Vranidoll si dhe objekti i tretë është një objekt i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik të Kosovës në Ferizaj që ne do të shkojmë të vizitojmë atë objekt dhe të shohim kushtet nga afër se si do të mund ta organizojmë në rast se ka nevojë sistemi për karantinë”, thotë ai.Ndërsa të mërkurën, pas takimit të komitetit emergjent, FSK-së i është kërkuar të bëjë furnizimin me tre kontejnerë, me elementet bazike të një ambulance, në pikat kufitare, për nevojat e ekipeve mjekësore që shërbejnë atje.

“Kërkesë për furnizimin me tre kontejnerë në tre pika kufitare të vendit tonë për nevoja të ekipeve mjekësore të shërbimit civil të cilët shërbejnë atje”, thotë ai. Pavarësisht që Kosova nuk ka ndonjë të prekur me këtë virus, ekzekutivi ka vendosur që të ndërmarrë masat paraprake duke mbyllur shkollat dhe universitetet deri më 27 mars.Në kuadër të masave që i ka parapara Qeveria e Kosovës, është edhe ndalimi i aktiviteteve kulturo-artistike në vend, dhe mbyllja e restoranteve dhe lokaleve në orën 23:00.Virusi COVID-19 tashmë ka përfshirë edhe Evropën, ku në rajon vetëm në Kosovë dhe Mal të Zi ende nuk është shënuar ndonjë rast i prekur.Ky virus nisi të përhapjen në Kinë në fund të vitit 2019 dhe është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën ku deri tani mbi 100 mijë persona janë prekur dhe mbi 4 mijë kanë vdekur.

Top Channel