Senatori amerikan: Po nuk u hoqën tarifat, të rishikohet prania USA në Kosovë!

10/03/2020 18:25

Senatori amerikan, David Perdue, shkroi të martën se Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë në Kosovë, nëse ajo nuk heq tarifat ndaj Serbisë.

Në një postim në rrjetin Twitter, senatori republikan i Gerogias, shkroi se “për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin e arritur historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqen, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë e atje”, shkroi ai. Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar trysninë ndaj qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që ishin vendosur në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara nuk janë pajtuar me qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e kushtëzuat të tarifave, një proces që duhet të fillojë sipas tij me 15 mars. Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike vazhdojnë të jenë thellësisht të ndarë rreth tarifave ndaj mallrave serbe, madje mospajtimet janë të thellë edhe brenda koalicionit qeverisës. Lidhja Demokratike kërkon që tarifat të hiqen tërësisht siç po kërkon edhe Washingtoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i pyetur nga gazetarët për të komentuar deklaratën e senatorit Perdue, tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të posaçme, të përjetshme dhe duhet të kultivohen. Ai theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara është i pazëvendësueshëm në procesin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu tha se “duam marrëdhënie edhe më të mira se përpara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kemi aleat e partner të pazëvendësueshëm në aspektin ekonomik, politik, gjeo-politik, kulturor, ushtarak, etj. Ai nuk pohoi nëse ka marrë ndonjë njoftim nga Korporata “Sfidat e Mijëvjeçarit” për pezullimin e ndihmës për Kosovën. Pas reagimit të senatorit, Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, kritikoi ashpër qeverinë aktuale për atë që ai e quajti “debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA”.

“Mbështetja e SHBA-së është jetike dhe shumë e domosdoshme për Kosovën”, shkroi ai në Facebook, duke e cilësuar tepër serioze deklaratën e Perdue.

Top Channel