Reduktohen infektimet në Kinë/ Sot 17 viktima të reja, numri më i ulët që prej fillimit të epidemisë

10/03/2020 12:28

Ndërsa Italia është e gjitha në karantinë, Kina ka sinjalizuar progres në betejën e saj ndaj koronavirusit.

Epidemia, e kombinuar me një rënie të çmimeve të naftës, ka shkaktuar një masakër të vërtetë në tregjet financiare duke shkaktuar miliarda dollarë humbje në shkallë globale. OBSH paralajmëroi se ka një kërcënim shumë real për pandemi por planeti nuk është në mëshirën e një sëmundjeje që ka vrarë më shumë se 4 mijë persona deri më tani.

Kina ka shpalosur besimin në rritje se ia ka dalë të vendosë virusin nën kontroll me presidentin Xi Jinping që vizitoi të martën epiqendrën e krizës, Wuhan. Autoritetet kineze njoftuan vetëm 17 viktima të martën dhe numrin më të ulët të infeksioneve të reja, 19. Ndërsa Hubei me 56 milionë njerëz mbetet në karantinë, kina po lehtëson kufizimet në pjesë të tjera të vendit me njerëzit që po kthehen në punë dhe me disa shkolla që po rihapen. Në të gjithë botën, më shumë se 110 mijë raste koronavirusi janë raportuar në më shumë se 100 shtete, me Kanadanë që raportoi viktimën e parë të saj. Mongolia ka izoluar kryeqytetin dhe qytete të tjera të saj të martën pas raportimit të rastit të parë.

Në Uashington, presidenti Trump tha se do të propozonte masa ekonomike thelbësore në kongres, duke shtuar se bota është nën sulm. Dy ligjvënës republikanë që u takuan së fundmi me presidentin thanë se do të viheshin në vetëkarantinë, duke patur frikë se mund të ishin ekspozuar ndaj virusit në një konferencë konservatorësh. Po ashtu edhe shefi i ri i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, u vendos në vetëkarantinë pasi ai mund të ketë hyrë në kontakt me një person që ka testuar pozitiv për koronavirusin. Ka shqetësime se SHBA mund të shndërrohet në një tjetër vatër të virusit me të paktën 26 viktima dhe 605 raste të konfirmuara deri më tani. Të hënën, pasagjerët e një anijeje krocerë e ankoruar në Kaliforni, me të paktën 21 persona në bord të diagnostikuar me virusin, u zbritën në tokë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA