Masat kundër koronavirusit/ Deri më 23 mars, ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve

10/03/2020 19:53

Me anë të një vendimi Këshilli i Ministrave ka caktuar nga data 10 mars deri në 23 mars ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Caktimin e datave 10 deri 23 mars 2020 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që ju ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë ose titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, në përmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.

Përjashtohen nga zbatimi i pikës 1, të këtij vendimi, prindërit që janë personel shëndetësor.

Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punë marrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Top Channel