Shqipëria jo më e paprekshme! Sa qëndruan në Itali dhe nga udhëtuan për në Shqipëri babë e bir të infektuar me koronavirus

09/03/2020 08:17

Ministria e Shëndetësisë në një njoftim zyrtar pak pas mesnate, konfirmoi dy rastet e para me koronavirusin e ri COVID-19 në vendin tonë.

Dy pacientët e konfirmuar janë babë e bir.

Dy qytetarët e konfirmuar me koronavirusin e ri, janë 54 vjeç dhe 28 vjeç dhe kanë qëndruar disa ditë në Firenc, ndërsa bëhet me dije se kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinë personale.

Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e sotme nga laboratori i virologjisë në IShP.

Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin infektiv, bën me dije ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve.

Top Channel