Në Ditën ndërkombëtare të dentistëve, Xheladin Ujkani, dentist dhe udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, ka publikuar raportin me të gjeturat rreth gjendjes së shëndetit oral tek fëmijët .

Sipas një njoftimi, fokusi i hulumtimit ka qenë vlerësimi i gjendjes së shëndetit oral tek fëmijët që kanë vizituar dentistin për herë të parë, si dhe fëmijët e traumatizuar nga vizitat e mëhershme.
Sipas njoftimit, të gjeturat e raportit janë shqetësuese, për faktin se mosha pesë vjeçare është mosha mesatare e fëmijëve që kanë vizituar për herë të parë dentistin.
“Duke marrë parasysh se dhëmbët e qumështit kompletohen rreth moshës tre vjeçare, kjo do të duhej të ishte mosha më e përshtatshme për vizitën e parë te dentisti dhe kjo të ndodhë edhe në rastet kur të gjithë dhëmbët janë të shëndoshë. Mesatarja e dhëmbëve të pri shur tek fëmijët që kanë vizituar dentistin përherë të parë është rreth 10 dhëmbë të prishur. Shumica e këtyre fëmijëve janë sjellur me dhimbje ose kanë përjetuar dhimbje të dhëmbëve në dy ditët e fundit ose më gjatë. Mesatarja e përgjithshme e dhëmbëve të prishur tek fëmijët që kanë vizituar për herë të parë dentistin, pra e dy grupeve të ndieshme dhe vështirë menagjueshme: fëmijëve që kanë vizituar dentistin për herë të parë dhe atyre që kanë pasur trauma të mëhershme, sillet rreth 8 dhëmbë të prishur. Të dhënat e tanishme pothuajse përputhen me të gjeturat edhe të dy viteve më parë, ku , nga 165 fëmijë të moshës dy deri në tetë vjet, tek të cilët ishin ende të pranishëm shumica e dhëmbëve të qumështit, në mesatare, kishin mbi 7 dhëmbë të prishur të qumështit”, thuhet në njoftim.

Top Channel