Në 22 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Aty të dy krerët institucional, thanë se familja Jashari ka vulosur shtetësinë e Kosovës. Kurti tha se: Për të bërë homazhe të varret e Jasharajve, të kësaj familje që e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare. Ne e kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve dhe këtë do të mund ta shlyejmë vetëm me punë të përditshme për shtetndërtim, për zhvillim dhe për drejtësi.
Osmani tha se: Jo vetëm në këto data, por në çdo ditë dhe në çdo moment ta përkujtojmë këtë sakrificë e cila i ka vënë themelet dhe ato themele jashtëzakonisht të forta të shtetit tonë. Në të njëjtën kohë ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës duke e bërë të ditur para syve të botës demokratike se populli shqiptar ishte një popull i shtypur nga ana e regjimit totalitar serb. Kurti dhe Osmani vizituan edhe kullën e familjes Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari. 22 vite më parë, në kulmin e agresionit serb në Kosovë, në Prekaz ishte vendosur zemra dhe mendja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Natën mes 4 dhe 5 marsit, Prekazi u rrethua nga forca të shumta ushtarake dhe policore që u përballën me një rezistencë të pashoqe. Në këtë sulm, dha jetën komandanti legjendar Adem Jashari dhe thuajse e gjithë familja e tij. Në përvjetorin e rënies herorike të tyre, qeveria e Kosovës, më 5.6.7. mars, organizon manifestimin mbarëpopullor Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Top Channel