Tjetër krisje LDK-VV, Hoti: Nuk lejojmë që taksa të paralizojë institucionet

04/03/2020 15:29

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, deklaroi se qëndrimi i Serbisë kundrejt Kosovës nuk është diçka e re, duke bërë kështu thirrje që të mos bllokohet axjenda e dialogut për shkak të taksës.

Hoti tha se nuk do të lejojnë që Kosova të hyjë në geto për shkak të tarifës, e shtoi se qeveria e re në Prishtinë mund të ketë sukses vetëm në rast se bashkëpunohet me SHBA-në dhe Bashkimin Europian.“Angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës është sistematik, e kjo tregon se ajo është kundër marrëveshjes për normalizim. Kjo nuk është gjë e re.

I ri është konteksti politik në Kosovës, ku institucione të reja që kanë legjitimitet të plotë qytetarë tani marrin përsipër agjendën e dialogut dhe politikës së jashtme. Është e qartë se kjo agjendë mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE. Paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës për shkak të kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na çon në getoizim. Ne nuk do të lejojmë getoizimin e Kosovës, sepse kjo i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën tonë ndërkombëtare”, është shprehur Hoti i cituar nga Gazeta Express. Ky reagim i tij vjen pas zhvillimeve të djeshme kur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic, paraqiti një letër përmes të cilës pretendonte se Sierra Leone ka tërhequr njohjen për Kosovën, zhvillim ky që nxiti edhe reagimin e kryeministrit Albin Kurti.

Top Channel