Banka Botërore ka planifikuar 12 miliardë dollarë ndihmë, për vendet në zhvillim, të cilat po luftojnë me përhapjen e koronavirusit të ri.
Paketa e urgjencës përfshin kredi me kosto të ulët, grante dhe asistencë teknike.
Vendimi i Bankës Botërore vjen derisa liderët në mbarë botën, po zotohen të mbrojnë vendet e tyre nga ndikimi ekonomik i shpërthimit të virusit.
Ndarja e mjeteve financiare ka për qëllim të ndihmojë vendet që të përmirësojnë reagimin e tyre në shëndetin publik, si dhe të punojnë me sektorin privat për të zvogëluar ndikimin ekonomik.
“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të kufizojmë transmetimin e sëmundjes”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, për BBC.
Organizata tha se do t’i jepte përparësi vendeve më të varfra dhe më të rrezikuara në shpërndarjen e ndihmës për të luftuar efektet e virusit, i cili është përhapur në më shumë se 70 vende të botës.
Cilat janë të dhënat e fundit të përhapjes së virusit
Autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92,000 raste të të infektuarve me virusin e ri, në të gjithë botën, nga të cilët më shumë se 80,000 janë në Kinë.
Më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur, shumica dërrmuese në Kinë.
Infeksionet e reja dhe vdekjet, kanë rënë në javët e fundit në Kinë, për shkak të masave të ashpra që ka ndërmarrë vendi në izolimin e banorëve.
Kina të mërkurën raportoi 38 vdekje të tjera.
Vendi i goditur më keq jashtë Kinës mbetet Koreja e Jugut e cila të mërkurën raportoi 516 infeksione të reja të konfirmuara, duke e çuar numrin në 5,328.
Irani ka liruar përkohësisht më shumë se 54,000 të burgosur, në një përpjekje për të luftuar përhapjen e virusit në burgje.
Vendi ka raportuar 77 vdekje në më pak se dy javë.
Të martën, ministria e Shëndetësisë në Iran tha se numri i rasteve të konfirmuara ishte rritur me më shumë se 50% për ditën e dytë me radhë.
Tani janë konfirmuar 2.336 raste, megjithëse besohet se shifra e vërtetë është shumë më e lartë.
Ndërkohë, Italia ka raportuar një rritje prej 50% të vdekjeve në 24 orët e kaluara, me gjithsej 79 vdekje nga virusi.
Shumica e vdekjeve janë në Lombardi. Nëntë vdekje janë konfirmuar në SHBA. Të gjithë të infektuarit jetuan në shtetin Uashington.
Dhe, në Spanjë, një autopsi ndaj një burri 69-vjeçar që vdiq më 13 shkurt ka zbuluar se ai ishte i infektuar me koronavirusin e ri, raportojnë media lokale.
Top Channel