Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi konfirmoi mbrëmë se zhvilloi një takim me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçic në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, takim ky i ndërmjetësuar nga i dërguari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Presidenti Thaçi sqaroi se në përballjen ku mori pjesë edhe këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit Tramp, Robert O’Brien, është diskutuar “mundësia e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”. Thaçi sqaroi përmes një postimi në Facebook se do të raportojë në detaje në Kuvendin e Kosovës për këtë takim.

Por qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti nuk ishte në dijeni të një zhvillimi të tillë. Për këtë arsye, zëvendëskryeministri Haki Abazi, deklaroi se “Presidenti po vepron në një hapësirë jotransparente dhe në mungesë të plotë të koordinimit me institucionet e Kosovës. Ne si qeveri nuk kemi absolutisht asnjë informacion se çfarë është agjenda, për çfarë është duke u diskutuar dhe cilat janë pozicionet që presidenti ka paraqitur në këto takime në Washington”, ka thënë Abazi.

Thaçi ka një javë që po qëndron në SHBA-së, dhe para nisjes Kurti e ftoi në një takim që siç tha “të ulen dhe të diskutojnë për unifikimin e qëndrimeve në politikën e jashtme, sidomos për dialogun me Serbinë”. Këtë kërkesë për Presidentin, kryeministri e përsëriti edhe në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua heqja e tarifës ndaj mallrave të Serbisë me qëllim që t’i hapet rruga dialogut.

Top Channel