Takim kundër kultivimit të kanabisit/ Jaupi prezanton aksionet policore: U kontrolluan sera, tunele, ish-reparte ushtarake…

03/03/2020 15:17

TIRANË – Është zhvilluar një takim sensibilizues në kuadër të masave për parandalimin e kultivimin e kanabisit në vend.

Nën drejtimin e Prefektes së Qarkut dhe me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve që ligji i ngarkon me përgjegjësi, gjatë ditës së sotme u zhvillua një takim sensibilizues, informues dhe koordinativ për masat e marra dhe zbatimin e tyre në terren nga të gjitha institucionet përgjegjëse për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Prefektja e qarkut Suzana Jahollari ka vlerësuar punën e Policisë së Tiranës gjatë vitit të kaluar dhe ka theksuar se falë punës së bërë edhe qarku Tiranë nuk është në hartën e kultivimit të bimëve narkotike. Ajo është shprehur se në përmbushje të Planit Kombëtar të Veprimit duhet që të rakordojnë veprimet mes faktorëve dhe aktorëve, me qëllim që 2020 të jetë viti zero i kultivimit të kanabisit.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Rebani Jaupi ka bërë prezent punën parandaluese që ka filluar që prej muajit shkurt, ku jo më larg se një javë më parë mijëra forca të policisë në të gjithë vendin ushtruan kontroll në territore të mbyllura, si sera, tunele, ish-reparte ushtarake, shtëpi të braktisura, vila me risk e territor të pyllëzuar, me qëllimin e vetëm parandalimin e kultivimit të kanabisit.

Jaupi theksoi se qarku Tiranë nuk është problematik, por koordinimi më i mirë i masave mes të gjithë aktorëve përgjegjës do çojë në rezultatin e dëshiruar prej të gjithëve, zero kanabis të kultivuar.

Përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë, OSHEE-së, Arsimit, kryepleqtë etj. theksuan faktin se bashkërisht mund të përmbushet me sukses prioriteti kombëtar, i minimizimit drejt zerimit të kultivimit të kanabisit.

Top Channel