Qyteti ku me një qira prej 2000 dollarësh në muaj, merr një mini-dhomë me shtratin pranë …

02/03/2020 12:50

Në pamje të parë, reklama duket mbresëlënëse: Një apartament me një dhomë gjumi në Camden Town të Londrës, që lëvdon tavanet e larta e punimet me mermer.

Fotot tregojnë një fasadë të bukur nga jashtë, një zonë shik, dhe më pas, vjen pjesa e brendshme: pavarësisht rregullimit me shije dhe elegancë, është e pamundur të mos vësh re se tualeti gjendet brenda në dhomë dhe ngjitur me shtratin. E sa është qiraja për një banesë vetëm 27 metra katrorë?

1,940 dollarë amerikanë në muaj, sipas agjencisë së pasurive të patundshme, Foxtons. CNN e kontaktoi kompaninë e konsideruar si një ndër më të mëdhatë e këtij lloji në Londër, por ajo nuk pranoi të komentonte mbi çmimin apo sesa interes ka ngjallur reklama. Akoma më tronditës është fakti që çmime të tilla për shtëpi që ofrojnë kushte jetese shumë larg ideales, nuk janë të pazakonta në Londër. Ekspertët thonë se kryeqyteti britanik po përjeton një krizë strehimi. Një mungesë e shtëpive të përballueshme po i lë njerëzit jashtë, duke ndikuar mbi shëndetin mendor të londinezëve, e në disa raste ekstreme, edhe në rritjen e numrit të të pastrehëve. Si shumë qytete të mëdha të botës, Londra po ndjen tendosjen e ndryshimit demografik. Të rinjtë zhvendosen më shumë në zona urbane, është në rritje numri i të moshuarve që kërkojnë strehim, e po kështu, është shtuar numri i beqarëve. Ndërkohë, rrogat nuk e kanë mbajtur ritmin me rritjen e çmimit të qirasë, e çmimi i tokës për ndërtimin e banesave të reja, është rritur ndjeshëm.

Top Channel