Francë/ Reforma e pensioneve që ngjalli debate do të zbatohet pa votim parlamentar

02/03/2020 20:40

Asambleja Kombëtare e Francës debatoi për dy javë pa arritur të vendosë. Tani reforma që ka ngjallur debate do të zbatohet pa votim parlamentar.

Një klauzolë kushtetuese e bën të mundur këtë. Franca do ta zbatojë reformën që ka ngjallur debate të pensioneve me dekret, duke e anashkaluar parlamentin. Kryeministri Edouard Philippe i tha Asamblesë Kombëtare se qeveria dëshironte t’i jepte fund këtij “episodi të mosdiskutimit”.

Që nga 17 shkurti, deputetët patën debatuar për planet e Presidentit Emmanuel Macron për njësimin e sistemit të pensioneve. Me gjithsej 41.000 amendamente, opozita u përpoq ta vonojë votimin vendimtar. Deputetë nga kampi qeveritar e akuzuan një debat me polemika kampin e krahut të majtë se “dëshiron të paralizojë” Asamblenë Kombëtare. Por parlamentarët e krahut të majtë paralajmëruan se qeveria dëshiron ta zbatojë me dekret reformën e pensioneve duke anashkaluar përfaqësimin e popullit. Pikërisht kjo do të ndodhë tani.

Klauzola kushtetuese e përdorur rrallë 49-3 e lejon qeverinë të anashkalojë parlamentin. Sindikatat po e kundërshtojnë me ashpërsi reformën. Për një çerek viti, ato organizuan greva dhe demonstrata mbarëkombëtare, në disa prej të cilave pati përleshje të dhunshme me policinë. Trafiku lokal dhe ai i distancave të gjata u paralizua për gati shtatë javë si protestë. Hekurudhat franceze SNCF hynë thellë në borxhe për shkak të grevave para ndërrimit të vitit. Në sistemin e vjetëruar të pensioneve në Francë ekzistojnë më shumë se 40 fonde të ndryshme pensionesh, ndërsa mosha e pensionit dhe përfitimet e pensionit tani do të ndryshojnë.

 

Top Channel