Marshim masiv në Moskë në përvjetorin e vrasjes së aktivistit Boris Nemtsov

29/02/2020 21:44

Mijëra qytetarë kanë marshuar sot në Moskë dhe në qytete të tjera ruse duke shënuar përvjetorin e vrasjes së Boris Nemtsov, kritikut të Kremlinit që u vra pesë vjet më parë.

Protestat e sotme janë më protestat më të mëdha të organizuara në Rusi që prej verës së kaluar pas zgjedhjeve lokale.

“Putini është hajdut”, “Rusia pa Putinin”, ishin disa prej sloganeve që qytetarët e mbledhur në Moskë brohoritën, teksa mbanin në duar flamuj të Rusisë dhe flamuj të partisë së cilës i përkiste Nemtsov. Disa protestues mbanin pano në duar me fotografi të Nemstovit me mbishkrime “Propaganda vret”.

Në urën ku Nemtsov u vra më 27 shkurt, 2015 – që gjendet vetëm disa metra nga muret e Kremlinit – qytetarët vendosën qirinj, lule, fotografi dhe flamuj të vegjël të Rusisë.

Protestat “tani janë për lirinë në përgjithësi dhe jo vetëm për jetën e njeriu”, tha një protestuese për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë, teksa vendosi një buqetë me trëndafila të bardhë, pranë vendit ku u vra Nemtsov.
Deri tani Kremlini nuk ka reaguar lidhur me këto protesta.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel