Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Top Story në Shqipëri hyjnë më shumë se 920 lloje suplementesh nga vende të ndryshme.

Pjesa më e madhe importohen nga Anglia dhe Kanadaja. Por duhet të përmendim se suplemente vijnë edhe nga Kina, India, Serbia, Bullgaria e Turqia.

Duke parë origjinën e vendeve nga të cilat importohen këto suplemente, natyrshëm lind edhe dyshimi nëse ato janë të falsifikuar, jashtë standartit dhe për vende të botës së tretë. Këtu duhet të kujtojmë faktin se kemi hasur me falsifikim të medikamenteve, që kanë dhjetëra filtra kontrollues, e jo më të suplementeve që hyjnë fare lehtë në Shqipëri.

“Përderisa ka pasur fenomene të depërtimit të barnave të falsifikuar të cilat kanë filtra kontrolli, patjetër që rreziku nga produkte të tilla të falsifikuara ekziston. Dhe reklamimi karshi këtij rreziku është po njësojë si në vendet e tjera”, tregon Diana Toma, Presidente e Urdhërit të Farmacistit

Një rast i tillë është konstatur me suplemete që vinin nga Anglia. Në vitin 2019, një sasi prej 0,021 ton me suplemente është kthyer përsëri mbrapsht, pasi i mungonte certifikata e origjinës.

Një tjetër kërkesë që duhet të zbatohet gjatë tregtimit të suplementeve është edhe etiketimi i tyre. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2008 për etiketimin e produkteve ushqimore, duhet që edhe suplementet të etiketohen edhe në shqip ku të japin informacioni e nevojshëm si dhe afatin e përdorimit të tij. Po të bësh një vëzhgim në farmacitë që tregtojnë suplemente ushqimore kupton që etiketimi në gjuhën shqipe mungon.

Institucioni që merret me kontrollin e suplementeve është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Kjo për faktin se ato janë të klasifikuar si shtesa ushqimore.

“Edhe sikur sot të jetë nga AKU sot kjo meriton një bashkëpunim me institucionet shëndetësore. Sepse nuk shitet si ushqim por shitet me qëllimin apo pretendimin se ndikon në shëndetin e popullatës”, tregon Prof. Dr. Iuf Kalo, Mjek, Lektor pranë UET.

Paradoksi qëndron se ato nuk tregtohen si shtesa ushqimore dhe të zgjedhin vetë qytetarët se çfarë duhet të marrin në marketet e ndryshme. Suplementet tregtohen në farmaci dhe përshkruhen në receta nga mjekët tanë. Kjo anaomali kërkon zgjidhje pasi duke qenë se janë institucione të ndryshme që i menaxhojnë lë hapësia për abuzim.

“Në realitetin shqiptar që janë institucione të ndryshme të pavarura nga njëra tjetra e shoh thjesht negative në sigurinë , garancinë që duhet të kesh na marrja e këtyre lëndëve. Vërtet ka praktika të vendeve të tjera që mund të futen me të njëjtën lehtësi por këto institucione që ne i kemi të veçanta janë të shkrira në një institucion. Është një institucion me nëndarjet, me drejtori të ndryshme që mund të ketë që përgjigjet si për barin, si për suplementin si për sigurinë ushqimore. Kur i ke në të njëjtin institucion edhe inspektimet janë më të organizuara dhe gjurmimi është i detajuar. Ndërsa kështu kur i ke institucione totalisht të pavaruara, na pëlqen s’na pëlqen, edhe me boshllëqe në aspektin legjislativ patjetër që individë të caktuar do të gjejnë hapësira për të abuzuar”, tregon Diana Toma, Presidente e Urdhrit të Farmacistit.

Top Channel