Tiranë, turizmi në rritje/ Veliaj: Vitin e kaluar më shumë turistë sesa banorë

21/02/2020 15:50

Tirana ka shënuar rritje të turizmit. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj u takua me përfaqësues të shoqatës e guidave turistike.

“Në Tiranë kemi pasur një rritje të turizmit me 35%. Vjet ishte viti i parë kur patëm më shumë turistë që vizituan Tiranën sesa banorë. Thyerja e këtij rekordi na bën jashtëzakonisht optimistë. Tirana sot renditet në një nga qytetet kryesore për “city break”, pra një pushim qytetas, jo plazhi, jo mali, pra jo të një jete rurale, por të një 3-ditëshi, që ndryshe quhet edhe si fundjavë e gjatë. Një nga gjërat që duam të bëjmë për të ndihmuar guidat është shtimi i “menusë”, ndaj në këto 5 vite jemi përpjekur të shtojmë pikat turistike”, u shpreh ai.

Veliaj tha se çdokush  duhet të jetë një zëdhënës i mirë i vendit të tij, pasi rritja e turizmit ndikon ekonominë e vendit .

“Është fatkeqësi që viti 2020 akoma ka njerëz që shajnë Shqipërinë dhe thonë: Ky vend s’bëhet! Unë jam një besimtar i fortë se po t’i përveshim mëngët si në këto 5 vjet, nuk do kishim asgjë mangët. Dy janë mundësitë: o e mbajmë kokën mbrapa, ose shohim përpara! Unë jam dikush që nuk e mbaj asnjëherë kokën mbrapa. Çfarë iku, iku, por ama, nga tani e tutje, i kemi shanset të ecim përpara.”

Top Channel