Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje përmes një postimi në Twitter, njoftoi se shteti i Xhamajkës ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Mirëpo një lajm i tillë u demantua sot nga ministrja e Punëve të Jashtme të Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith, e cila tha se deri më tash shteti i Xhamajkës nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
E për një lajm të pakonfirmuar, zyra e presidentit në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se njoftimin për njohjen nga Xhamajka e kanë marrë zyrtarisht nga ambasadorja Vlora Çitaku.
Më tej Presidenca thotë se për informacione tjera duhet t’i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

Top Channel