Sot është një ditë zie për mbarë futbollin kosovar.

Në moshën 49 vjeçare është ndarë nga jeta Gëzim Kaçaniku. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij në rrjetin social Facebook.

Kaçaniku ishte ish-futbollist i shquar nga Mitrovica, ndërsa së fundmi ishte edhe trajner i Trepçës. Ai ndërroi jetë pas një sëmundje prej të cilës vuajti gjatë viteve të fundit.

Me këtë rast ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës, ku kryetari Agim Ademi ka dërguar një telegram ngushëllim.

“E nderuara familje Kaçaniku,  Të nderuar drejtues dhe anëtarë të KF “Trepça” dhe KF “Trepça’89”, Të nderuar dashamirë të futbollit në Mitrovicë, Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga je ta të më të dashurit tuaj, mikut tonë Gëzim Kaçaniku, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, që të Ju shpreh ngushëllimet e mija më të thella.

Kaqa, siç njihej nga të gjithë ne Gëzimi, dha kontribut të madh për futbollin e Kosovës, fillimisht si futbollist në epokën më të vështirë të saj, atë që njihet si periudha e sakrificës dhe e mbijetesës, e më pas edhe si trajner i shquar në edukimin dhe zhvillimin e gjeneratave të reja të futbollit mitrovicas. Prandaj, humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen dhe KF ‘Trepça’ e KF “Trepça’89”, klube në të cilat dha kontribut si futbollist e trajner, por për mbarë komunitetin e futbollit në Kosovë.

Përkushtimi në punë, dashuria për futbollin, urtësia dhe profesionalizmi i tij bëjnë që Kaqa të mbetet gjithmonë në kujtesën e miqve, kolegëve, gjeneratave të reja, por edhe në historinë e futbollit tonë. Kaqa ishte i veçantë, sepse përveç që ishte i palodhshëm ishte person shumë pozitiv, ngase edhe atëherë kur atmosfera nuk ishte e mirë, ai dinte që me batutat e tij të veçanta gjithçka ta kthente në pozitivitet. Në këto momente të vështira për Ju, jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës! Me respekt Agim Ademi, president i FFK-së.”

Top Channel