Fiks Fare denoncoi problematikën që hasin qytetarët me Adrestarin e ri në gjendjen civile.

Shërbimi online E-Albania , në fillim të këtij viti hodhi në sistem Adrestarin e ri të banesave , nga i cili qytetarët mund të marrin certifikata të rregullta. Hartat e ndarjeve territoriale nuk përputhen me kufijtë fizikë të përcaktuara për njësitë vendore dhe bashkitë, duke sjellë vështirësi te qytetarët .

Ilir Kalemaj nga qyteti i Patosit në datën 8 shkurt humbi të vëllanë e tij 56 vjeç . Për më shumë se një javë ai nuk mund të merrte Skedën e vdekjes për të bërë çregjistrimin në gjendjen civile. I ndjeri Barjam Kalemaj së bashku me familjen e tij jetonte prej 30 vitesh në qytetin e Patosit dhe kishte pasur në pronësi dhe një farmaci të cilën duhet ta mbyllte si biznes se në të kundërt do të kishte penalitete.

Përgjegjësja e zyrës së Gjendjen Civile të Patosit zonja Afërdita Beqiraj tregoi për Fiksin se kjo ngatërresë nuk e ka sjellë shërbimi i kësaj zyre ku ajo drejton, por kombinimi i dy sistemeve të adresave dhe i ndarjeve territoriale që janë futur nga janari i këtij viti , të cilët sipas saj,nuk përputhen njëri me tjetrin.

“Kemi shkuar dhe vetë në Drejtorinë e Përgjithshme te Gjendjeve civile Tiranë për të bërë korrigjimin e adresave sepse është hequr nga rubrika emërtimi Patos fshat dhe Patos qytet, që normalisht duhet të jetë. Nuk është vetëm rasti i zotërisë. Përditë kemi raste të tilla të cilat mundohemi t’i zgjidhim rast pas rasti” tha zonja Beqiraj për Fiks fare.

Në Bashkinë e Patosit Sekretari i Përgjithshëm z. Shkëlqim Beqiraj sqaroi për Fiksin se kishin një letërkëmbim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjeve Civile të Shqipërisë për këto probleme, që kishin lindur nga fillimi i këtij viti .

“Gabimi është se nuk është bërë rakordimi i adresave të portalit me Regjistrin e Gjendjeve Civile. Ne i kemi përcaktuar kufij fshat-qytet para katër vitesh dhe sot që flasim nga ky problem janë rreth 50-60 ankesa nga qytetarët” përfundoi ai.

Fiksi kontaktoi Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme për të marrë një shpjegim. Ky institucion deklaroi se ishte punuar gjithë natën për të zgjidhur problemin e do të përfundonin shumë shpejt.

Vërtet, pas katër orësh nga telefonata e Fiksit me nëpunësit e Drejtorisë së Përgjithshme te Gjendjeve Civile në Ministrinë e Brendshme qytetari Ilir Kalemaj, mundi të marrë Aktin e vdekjes së të vëllait.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA