Gjykata e Posaçme riktheu dosjen e Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt, avokatët kërkesë për shuarjen e masës së arrestit të këtij të fundit

28/07/2026 18:13

Një ditë mbasi Gjykata e Posaçme në seancë paraprake ktheu pas dosjen e SASPAK me të pandehur Ilir Beqajn, Ermal Kurtulaj, njëri nga 9 të pandehurit që vazhdon nën masë arresti në burg i është drejtuar menjëherë Gjykatës së Posaçme për shuarje të masës së sigurisë.

Siç i deklaroi gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, avokati i tij Ermir Beta, kërkesa për shuarje të masës së sigurisë u depozitua sot në referim një vendimi njësues të Gjykatës së Lartë që përcakton afatet e paraburgimit, të cilat sipas llogarive të mbrojtjes kanë përfunduar.

Por i kontaktuar në telefon nga gazetarja Hoxha edhe avokati i Ilir Beqaj, Ermal Yzeiraj, konfirmoi se do kërkojë në gjykatë shuarje të masës së sigurisë së arrestit në burg ndaj ish-ministrit, që në këtë rast mbahet i paraburgosur për llogari të dosjes së SASPAK.

Të dy edhe Kurtulaj edhe Beqaj janë të vetmit të arrestuar në listën e 9 të pandehurve ndërsa ka nën hetim edhe dy shoqëri tregtare.

Dosja e agjencisë SASPAK u mbajt në gjykim paraprak dhe me dyer të mbyllura për afro një vit dhe në përfundim mbasi ka dëgjuar palët, Gjykata e Posaçme nuk pranoi ta dërgojë për gjykim themeli por ja ktheu pas SPAK-ut për hetime të mëtejshme, duke i lënë afat deri në datën 30 tetor, duke lënë detyra për veprime shtesë.

Nga ana tjetër Beqaj është nën gjykim të zakonshëm për dosjen e “Sterilizimit” në të cilën ka masën e detyrimit me paraqitje.

Top Channel