Kurti për shkëmbimin e territoreve/ Kryeministri: Projekti dështoi, por ideja nuk ka vdekur

20/02/2020 12:20

Në një intervistë dhënë për “Süddeutsche Zeitung”, e para herë që flet si kryeministër për një gazetë prestigjioze gjermane, Albin Kurti u shpreh se nuk është kundër dialogut me Serbinë, por i qëndron idesë se ai duhet të zhvillohet me parime të qarta, të cilat të jenë të detyrueshme për të dy palët.

“Serbia duhet të pranojë realitetin: Kosova është shtet i pavarur. Dhe ne nuk mund të kthehemi në kohën e Milloshevicit. Sa më parë që e pranojnë këtë, aq më mirë për të dy palët”, u shpreh Kurti.

Kurti foli edhe mbi idenë e shkëmbimit të territoreve, e cila u rikthye sërish fort në vëmendje pas një deklarate të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer dhe hedhjes poshtë që i bëri menjeherë Richard Grenell.

“Ky projekt ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhjet e tilla me shkëmbim territori mund të hapin Kutinë e Pandorës”, tha Kurti.

Në intervistë u prek dhe marrëveshja për lidhjen hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në Mynih të Gjermanisë. Kryeministri kosovar edhe një herë theksoi se negociatat janë zhvilluar nga qeveria paraardhëse, dhe se ekzekutivi actual nuk ka qenë i përfshirë.

Kam rezerva, mes tjerash lidhur me çështjen nëse financimi do të ishte në pajtim me Kushtetutën, është shprehur ai, duke shtuar nuk e ka parë variantin përfundimtar të marrëveshjes.

Top Channel