Donin të largoheshin, tani duhet t`iu dalin vetë. Mesazhi i Mbretëreshës Elisabetë për princin Harry dhe të shoqen, Meghan Markle ishte i qartë. Monarkja i ka urdhëruar të heqin menjëherë emrin  “Sussex Royal” nga marka e tyre.

Përderisa zgjodhën të shkëputeshin nga familja mbretërorë, ata sipas mbretëreshës, nuk mund të shfrytëzojnë emrin e madh që iu dha. Pasi shpenzuan dhjetëra mijëra paund në një faqe webi dhe artikuj tregtarë, Duka dhe Dukesha e Sussex e kanë humbur luftën e tyre për të mbajtur markën fitimprurëse Royal.

Harry dhe Meghan do të duhet të gjejnë tani një emër të ri  pas bisedimeve të gjata me Mbretëreshën dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Një burim i tha Daily Mail se: “Në shumë mënyra kjo ishte e pashmangshme duke pasur parasysh vendimin e tyre që të tërhiqeshin nga familja, por ai me siguri do të jetë një goditje për çiftin pasi ata kanë investuar shumë në markën Sussex Royal.

Megjithatë nëse ata nuk po kryejnë detyra zyrtare dhe tani janë duke kërkuar mundësi të tjera tregtare, thjesht nuk mund të lejohen që ta shesin veten si pjesëtarë të familjes mbretërore”, u shpreh burimi. Mbretëresha e ka bërë të qartë se nuk pranon që anëtarë të familjes të cilët punojnë, të nxjerrin përfitime nga pozicioni i tyre mbretëror.

Top Channel