Champions League/ Sot në fushë, Tottenham e Valencia

19/02/2020 16:14

Luhen sot në mbrëmje 2 ndeshje të tjera të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve. Tottenhami i Jose Mourinhos do të presë në Londër, Leipzigun dhe kjo është sfida e parë mes këtyre dy skuadrave në arenën Evropiane.

Tottenhami vjen në këtë përballje me mungesa të rëndësishme pasi Harry Kane dhe Sissokosë i bashkohet edhe koreanojugori Son që ka pësuar dëmtim në krah për të cilën do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mungesa do të ketë edhe skuadra e Leipzigut pasi ka 4 futbollistë të dëmtuar Adams, Kampl, Orban dhe Konaté. Sfida do të gjykohet nga një skuadër arbitrash turq, me kryesor Cuneyt Cakir ndërkohë që asistentë të tij do të jenë Bahattin Duran dhe Tarik Ongun.

Në Bergamo, Atalanta do të presë Valencian, edhe kjo përballja e parë mes këtyre dy skuadrave. Atalanta është shfaqur në një formë shumë të mirë në Serie A dhe vjen në këtë ndeshje me entuziazmin e fitores ndaj Romës në fundjave. në skuadër është kthyer Duvan Zapata, por që Gasperini duket se nuk do ta aktivizojë si titullar. në krahun tjetër, valencia ka akoma më shumë probleme pasi ka disa futbollistë të dëmtuar, kështu që Celades duket se do ta ketë më të lehtë të bëjë formacionin pasi do të jetë i kushtëzuar në zgjedhjet e tij.

Një prej mungesave më të rëndësishme te Valencia është ajo e Rodrigos në sulm, një repart të cilin duket se do ta mbulojë Maxi Gomez. Sfida mes Atalantës dhe Valencias do të gjykohet nga arbitra anglezë me kryesor Michael Oliver i ndihmuar nga asistentët Stuart Burt dhe Simon Bennett.

Top Channel