Talenti brazilian prezantohet mes lotësh te Reali i Madridit

18/02/2020 18:42

Pas Vinicius Junior dhe Rodrygo, një tjetër i ri i talentuar brazilian është bërë pjesë e Realit të Madridit, teksa është prezantuar mbrëmjen e sotme nga vetë presidenti i Los Blancos, Florentino Perez.

Bëhet fjalë për Reinier Jesus Carvalho, sulmues 18-vjeçar i rritur në akademinë e Flamengos, klub me të cilin debutoi dhe luajti 14 ndeshje e shënoi 6 gola në sezonin e fundit, para se të transferohej te madrilenët për shifrën e 35 milionë eurove.

Djaloshi nuk i mbajti lotët gjatë ceremonisë së prezantimit, veçanërisht gjatë një spoti të transmetuar për të pranishmit, që tregonte hapat e rritjes së Reinier, që nuk rreshti së falënderuari familjen e tij.

“Familja ime ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme që unë të arrij këtu sot. Jam te Reali i Madridit vetëm falë mbështetjes së familjes time, ndaj i falënderoj pa fund ata. Jam gati të bëj gjithçka për klubin e Realit të Madridit”, deklaroi Reinier i përlotur gjatë fjalës së tij.

Futbollisti që më 19 janar festoi ditëlindjen e tij të 18, ka nënshkruar me Realin një kontratë të vlefshme deri në qershorin e 2026-ës, ndërsa debutimin do ta bëjë me skuadrën B, pjesë e të cilës edhe është federuar këtë sezon.

Top Channel