Mourinho në hall: Son ka mbyllur sezonin, nuk kam asnjë sulmues

18/02/2020 19:13

Pas sulmuesit Harry Kane, Tottenham ka humbur edhe një tjetër futbollist në repartin e avancuar, koreanin Hueng Min Son, i cili u ndal në sfidën e të dielës përballë Aston Villës, ku shënoi edhe një dopietë duke u dhënë fitoren “Spurs”-ave.

Trajneri i londinezëve, Jose Mourinho doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes m,e Leipzig në Ligën e Kampionëve dhe deklaroi se sezoni për sulmuesin korean ka përfunduar dhe në rastin më optimist mund të luajë një apo dy javë në fund.

“Jemi në një situatë të vështirë, sepse nëse deri para pak ditësh ankohesha se nuk kisha sulmues në stol, tani nuk kam as në fushë. Sezoni i Son ka përfunduar, ndonëse në rastin më optimist mund të luajë një apo dy ndeshje dhe dëmtimi i Kane gjithashtu, na lë një situatë të komplikuar. Troy Parrot nuk është ende gati, ndërsa Ryan Sessegnon nuk është sulmues, ndaj do të duhet të sajohemi deri në fund të sezonit’, u shpreh Mourinho.

Tottenhami ka bërë mjaft mirë me portugezin në pankinë, pasi ka grumbulluar 26 pikë, po aq sa edhe Manchester City, ndërsa më tepër ka marrë vetëm Liverpooli kryesues, plot 42 pikë. Londinezët janë pranë objektivit për një vend në zonën Champions, por dëmtimet komplikojnë ndjeshëm planet e Mourinhos.

Top Channel