Ka rënë në pranga nga policia e Durrësit bashkëpunëtorja e grabitësit famëkeqAstrit Thaçi, i cili u arrestua ditën e djeshme.
Bëhet fjalë për një 20-vjeçare që ndihmonte autorin e vjedhjeve me armë e dhunë, për t’i shpëtuar forcave të Policisë.
Mbi bazën e provave të siguruara nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë nga veprimet proaktive të kryera, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen A. B., 20 vjeçe, banuese në Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
27-vjeçari, i cili është dënuar me 7 vite burg në Itali akuzohet për të paktën 8 raste grabitjesh, ndër to edhe grabitja e argjendarisë në Elbasan, pranë drejtorisë së policisë në Elbasan.
Mbi Thaçin janë dokumentuar me prova shkencore 8 raste, nga këto 3 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Prej disa ditësh në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe së fundi në Elbasan, i riu, lindur dhe banues në lagjen nr. 13 Durrës, në kërcënimin e armës, kishte kryer disa vjedhje me armë e dhunë dhe disa të tjera të mbetura në tentativë. Mbrëmjen e datës 15 shkurt, Policia e Durrësit bëri të mundur lokalizmin e vendndodhjes së autorit të dyshuar të këtyre ngjarjeve.
Mbi bazën e provave të grumbulluara Drejtoria Vendore e Policisë Durrës organizoi punën dhe në kuadër të operacionit “Trajektorja”, në bashkëpunim dhe në koordimin me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale bëri të mundur kapjen, në një lokal në zonën e kombinatit Tiranë. Kështu u arrit që të dokumentohej veprimtaria kriminale në fushën e vjedhjeve me armë e dhunë, kryer nga ky shtetas në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, konkretisht:
Në Durrës, në datën 08.02.2020, në lagjen 12, Durrës, është vjedhur me armë zjarri filiali i një banke të nivelit të dytë, ku autori mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh.
-Më datë 10.02.2020, në lagjen 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e pistoletës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit R. T., duke e plagosur në këmbë.
-Më datë 11.02.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, nën kërcënimin e armës ka vjedhur në një Big Market, nje shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare.
Po ky shtetas, më datë 12.02.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike.
-Me datë 12.02.2020, në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , Tiranë, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.
-Me datë 13.02.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.
-Më datë 15.02.2020, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur këtë shtetas me sende të forta duke i marë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax.
Në Elbasan, më datë 15.02.2020, në lagjen “Ali Pasha”, Elbasan, nën kërcënimin e pistoletës ka vjedhur në një argjendari, një sasi bizhuterish.
Ne momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan sendet e mëposhtme:
-17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Tiranë dhe Elbasan, për veprën penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”.
Top Channel