Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ndërtuar regjistrin online të integruar për të gjitha dëmet e ndodhura për policat e sigurimeve motorike TPL. Ky regjistër online u mundëson qytetarëve një numër identifikimi unik, që ata të ndjekin procedurën e pagesës së dëmit të tyre.
Qytetarët e siguruar me policat e sigurimit motorik, në momentin e aksidentit të ndodhur, duhet të drejtohen pranë shoqërisë së sigurimit për të raportuar dëmin. Sistemi elektronik pranë AMF-së nxjerr automatikisht një kod me 21 karaktere, me numra dhe shkronja, që fillon me datën e raportimit të dëmit të ndodhur. Këtë numër unik qytetarët e dëmtuar e marrin nga shoqëria e sigurimit, brenda ditës, kur raportojnë dëmin.
Me anë të kodit unik të dëmit, qytetari kontrollon statusin e dosjes për dëmshpërblim nga shoqëria e sigurimit, pra se në cilën etapë të pagesës së dëmit ndodhet shqyrtimi dhe çfarë dokumentacioni duhet plotësuar më tej.
AMF po punon edhe për ndërtimin e një sistemi tjetër online, ku në bazë të numrit të shasisë do të bëhet listimi i dëmeve të mëparshme të automjetit. Kjo do të shërbejë që qytetarët të njohin historikun e mjetit motorik.
Top Channel