“Ambasadori Richard Grenell, asnjëherë nuk ka folur për anulimin e investimeve në Kosovë”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, zëdhënësi i Grenellit, Dick Custin.

Transmetuesi publik në Kosovë (RTK) ka raportuar të martën lidhur me mundësinë e anulimit të investimeve amerikane në Kosovë për shkak të mbetjes në fuqi të tarifës ndaj mallrave serbe. Megjithatë, Custin tha se “ambasadori Grenell u ka bërë të qartë liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë përfitimet e dëshiruara nga ndihma në ekonomi, nëse tarifat janë në fuqi”.

“Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat e dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë komunitetit të sektorit privat një mesazh të keq, se Kosova nuk është një vend në të cilën mund të zhvillohet një biznes”, ka thënë Custin. Raportimet për një tërheqje të investimeve të SHBA-së në Kosovë nga transmetuesi publik u bënë pas një postimi të ambasadorit Grenell në Twitter më 11 shkurt, në të cilin kërkon heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe në mënyrë, që siç thotë “të ketë investime”.

Qeveria e re e Kosovës, ka paralajmëruar zëvendësimin e tarifës me masën e reciprocitetit kundër Serbisë, por ende nuk është sqaruar si do të zbatohet ky vendim. Megjithatë zëdhënësi i Grenellit ka përsëritur se “zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ‘reciprocitet’ gjithashtu do të jetë kundër produktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”.

Top Channel