Air Mediterranean ka reaguar ndaj revokimit të lejes së këtij avio-transportuesi evropian për operim në Prishtinë, duke thënë se veprimi i autoriteteve kosovare është i padrejtë dhe se për këtë do të ankohen tek autoriteteve përkatëse evropiane.

Në një komunikatë për media, Air Mediterranean thotë se në bazë të obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Hapësirën e Përbashkët Ajrore Evropiane (ECAA), të cilën e ka nënshkruar Kosova, kompania ka të drejtë operimi në Prishtinë dhe në bazë të kësaj të drejte kanë shitur biletat, por që pasagjerëve u është mohuar e drejta e fluturimit në mungesë të lejes për operim.

“Me habi dhe zhgënjim të madh pranuam dje revokimin e lejes per operim në Prishtinë që e kishim pranuar vetëm disa orë më parë. Ne jemi një avio-transportues evropian që kërkon të zhvillojë transportin ajror të pasagjerëve për dhe nga Prishtina. Nga ky operim përfiton Kosova si destinacion edhe pasagjerët. Në bazë të marrëveshjeve në fuqi, ne kishim çdo të drejtë të fluturonim për në Prishtinë dhe të zhvillonim operimet tona sipas orarit të kërkuar. Shpresoj që Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Ministria e Infrastrukturës të jenë në dijeni me obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Hapësirën e Përbashkët Ajrore Evropiane (ECAA) të cilën Kosova e ka nënshkruar. Sipas kësaj marrëveshje ekziston një treg i lire dhe i përbashkët i transportit ajror i cili përfshin si vendet tona ashtu edhe vendet e tjera evropiane ku ne jemi të interesuar të operojmë”, thuhet në reagim.

Air Mediterranean paralajmëron se në rast të vazhdimit të refuzimit nga autoritetet kosovare, do të detyrohen t’i raportojnë, siç thuhet, këto shkelje pranë autoriteteve përkatëse evropiane të cilat nuk do të jenë aspak të lumtura me këto zhvillime.

“Ne shpresojmë se kjo çështje të rregullohet midis nesh në mënyrë miqësore për të mirën e Kosovës. Në thelb Air Mediterranean do të lidhë qytetet kryesore evropiane me Prishtinën me një rrjet gjithnjë në zgjerim. Ky projekt padyshim që do të ndihmojë në rritjen e trafikut të udhëtarëve dhe rrjedhimisht ne stimulimin e biznesit dhe ekonomisë vendore. Operimi i tillë është i dobishëm si për vendin ashtu edhe njerëzit. Për më tepër, ne do të trajnojmë dhe punësojmë staf vendor duke siguruar kështu vende të reja pune në Kosovë”, përfundon reagimi.

Ndryshe, Air Mediterranean është një linjë ajrore evropiane që posedon Certifikatën e Operatorit Ajror (AOC) lëshuar nga Autoriteti i aviacionit civil grek (HCAA) në përputhje me rregulloren e Agjencisë Evropiane të Sigurisë në Aviacion (EASA).

Top Channel