Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë do të fillojnë përgatitjet për mbajtjen e një mbledhje të përbashkët në Shkodër. Kjo u bë e ditur gjatë një konference të përbashkët për media të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe homologut të tij shqiptar Edi Rama në Tiranë.

Pas takimit mbi një orësh, Kurti para mediave thanë se me homologun e tij shqiptar janë pajtuar që të formojmë një komision ndërshtetëror që marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet dy vendeve të zbatohen.

Kurti: 77 marrëveshjet e nënshkruara deri më tani të zbatohen

“Vendi i parë që vizitova ishte Prekazi, qyteti i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Mitrovica dhe shteti i parë patjetër duhej të ishte Shqipëria. Ju falënderoj për mikpritjen dhe bisedën konstruktive. Unë dua që në këtë dekadën e tretë të shekullit 21 të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpu nimit Kosovë-Shqipëri çfarë nuk ka pasur asnjëherë ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës. U dakorduam që të formojmë një komision ndërshtetëror, i përbërë nga ministra dhe deputetë që ato 77 marrëveshje të nënshkruara deri më tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja”, tha Kurti.

Ai ka falënderuar shtetin shqiptar për ndihmën dhe përkrahjen e pa rezervë për Kosovën.

Kurti: Kosova s’do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë pa Shqipërinë

“Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por po ashtu edhe në paqe pa Shqipërinë, andaj ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21 të ecim bashkë dhe fuqishëm. Dua të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, prodhimtarisë, arsimit, të sigurisë dhe të politikës së jashtme, të ciklat janë fusha ku i kemi preokupimet e njëjta”, tha Kurti.

Ai u shpreh i bindur se së bashku me kryeministrin Rama do të dëshmojnë dhe do të avancojnë bashkëpunimin ndërshtetëror në fusha dhe përmasa që i dëshiron kombi shqiptar, por që ende nuk i ka parë dhe ‘këtë do ta kenë rastin pikërisht me ne’.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar realizimin e plotë të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave kapitale ndërmjet dy vendeve. Ai tha se do të vendoset në funksion një komision ndërshtetëror për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve të deritanishme Kosovë-Shqipëri.

Rama: Për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve

“Kemi rënë dakord që të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive që do të mbahet në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë. Një vakum mes dy mbledhjeve na imponon që të bëjmë mbledhje sa më produktive. Do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për t’ia adresuar mbledhjes së dy qeverive në funksion për vendimmarrje të tjera. Kemi diskutuar me kryeministrin edhe për procesin e Berlinit dhe vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore të BE-së në rajonin në tonë, ku për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve. E kam thënë edhe më parë, e thashë edhe sot, që për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe pastaj edhe të mallrave kapitale dhe të shërbimeve, nuk e kemi kryer detyrën tonë drejt të ardhmes”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare edhe një herë u shpreh i gatshëm për heqjen e kufirit ndërmjet dy vendeve.

 

“Jemi të gatshëm që ta heqim kufirin mes dy shteteve dhe pë r ta bërë faktikisht hapësirën e përbashkët, bashkëpunimi dhe zhvillimi. Ne jemi qind për qind në mbështetje të Kosovës në të gjithë betejën për të çuar përpara njohjes së plotë dhe afirmimit si një shtet sovran dhe demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet e institucionet”, tha Rama.

Ndryshe, kjo është vizita e parë zyrtare e Albin Kurtit jashtë shtetit që nga marrja e postit të udhëheqjes me Qeverinë e Kosovës. Ai sot u prit me ceremoni shtetërore në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA