Një grup studentësh të arkitekturës nga Tirana së bashku me disa profesorë nga Firencja prej një jave gjenden në Berat për të analizuar dhe dokumentuar matjet e disa shtëpive karakteristike dhe objekteve të kultit në qytetin e UNESKOS.
Studentët nën drejtimin e pedagogëve po kryejnë analiza në objektet kultit në lagjen Kala, si dhe të banesave të kategorisë së parë në lagjet karakteristike Mangalem dhe Goricë, për të vlerësuar ritmin e degradimit në këto objekte.
Analiza shkencore po realizohet me metodologji të ndryshme duke përfshirë ato tradicionale dhe ato të avancuara, si fotogrametri tre D, lazera dhe fotografi speciale. Studentët gjatë kësaj eksperience, kanë përfituar nga ana profesionale pasi janë përfshire në analiza të thelluara dhe kanë realizuar punime konkrete në terren .
Berati si një qytet i vjetër, qe frekuentohet thuajse gjithë vitin nga turistet, është kthyer edhe në një qendër studimi. Vitet e fundit shumë studente të huaj dhe vendas përmes projekteve te ndryshme te studimit kanë marrë pjese në restaurimin e banesave apo objekte kultit pjesë të trashëgimisë së qytetit të vjetër mbi 2400 vjeçar.
Top Channel