I ftuar në studion e emisionit “Top Talk” (datë:05.02.2020) ishte ministri për Menaxhimin e Emergjencave Civile Bledi Çuçi.

Në studio u rikthye në vëmendje tërmeti i fuqishëm që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, ku si pasojë humbën jetën 51 persona, qindra të tjerë u plagosën, ndërsa mijëra shtëpi u dëmtuan.

Kujtojmë që në ato momente të vështira që u gjend vendi ynë shumë shtete u solidarizuan duke ofruar ndihmën e tyre.
Fillimisht ishte Kosova që dërgoi në drejtim të Shqipërisë forca të emergjencës civile si dhe të ndërhyrjes së shpejtë. Më pas ekipe të kërkim shpëtimit erdhën nga Turqia, Italia, Izraeli, Rumania të cilët kontribuan në nxjerrjen e trupave që ndodheshin nën rrënojat e pallateve të shembura.

Ajo që bëri bujë në atë kohë ishin deklaratat e Presidentit të Turqisë Taip Rexhep Erdogan, i cili u shpreh se do të ndërtonte 500 shtëpi në vendin tonë për t’i ardhur në ndihmë në këtë mënyrë personave që ngelën pa një strehë si pasojë e tërmetit tragjik. Por këtë muaj Turqia, u prek nga një tërmet i fuqishëm me magnitutë 6.8 të shkallës Rihter me epiqendër në qytezën e vogël Sivrixhe, në provincën Elazë, ku u regjistruan edhe 22 viktima. Pas tërmetit të këtyre përmasave u shtua skepticizmi tek shumë qytetarë shqiptarë, të cilët mendonin se Erdogan do të hiqte dorë nga premtimi i dhënë, për të ndërtuar 500 shtëpi në vendin tonë.

Pikërisht në lidhje me këto ngjarje e drejtoi bisedën gazetari dhe drejtuesi i emisionit Denis Dyrnjaja. Ai pyeti drejtpërsëdrejti ministrin Çuçi se çfarë u bë me ato 500 shtëpitë e premtuara nga Turqia. Ministri u shpreh se ai premtim qëndron ende dhe po punohet me planifikimin e zonës dhe më pas do të mendohet për të nisur punimet.

Gjithashtu Çuçi dha dhe një premtim në studio, duke thënë se brenda vitit 2020 do të bëhen me shtëpi të re të gjithë personat që jetojnë në zona rurale dhe jetojnë nëpër çadra. Ndërsa për banorët e zonës urbane po punohet që sistemi i strehimit të përfundojë brenda 2021.

“Po punohet me intensitet për këtë çështje sigurisht aty kërkohet planifikim urban për atë mini-zonë që do të bëhet. Është thjeshtë procedurë krejt normale që ti duhet të bësh një planifikim të zonës dhe më pas të fillosh të ndërtosh më pas”, u shpreh ministri.

Më tej ai shtoi:

“Te raporti i sotëm afati më i gjatë është pesë vite, ne mendojmë tre. Njerëzit që jetojnë në zonat ruale që janë në çadra ne kemi bërë një premtim që brenda 2020 ato do të hynë në shtëpi të re. Ndërsa për pjesën tjetër, pra zonën urbane ajo kërkon një kohë më të gjatë, kështu që brenda 2021 padiskutim”.

Top Channel