Top Talk: Kontributi i Fondacioneve për dëmet nga tërmeti brenda fondit total

05/02/2020 18:26

I ftuar në studion e emisionit “Top Talk” ishte ministri për Menaxhimin e Emergjencave Civile Bledi Çuçi. Ditën e sotme qeveria me anë të Çuçit ka bërë publike raportin final të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Dëmet janë llogaritur 985 milionë euro ndërsa për rimëkëmbjen duhen diku tek 1076 milionë euro. Kujtojmë që pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, shumë fondacione shqiptare u ngritën për të siguruar të ardhura, të cilat do të përdoren për të rimëkëmbur zonat e prekura. Një nga fondacionet është edhe “Rrënjët Shqiptare” gazetarit të Top Channel, Marim Mema, i cili deri më tani ka arritur të mbledhë plot 1.6 milionë euro. Lidhur me kontributin e dhënë nga këto fondacione e formuloi pyetjen në drejtim të ministrit gazetari Denis Dyrnjaja.

Ai pyeti ministrin se çfarë do të bëhet me paratë e përfituara nga fondacionet e ngritura nga disa persona në vendin tonë. Ministri u shpreh se paratë do të jenë pjesë e fondit total të mbledhur nga qeveria. Ai tha se qeveria ka ngritur një instrument që merret me menaxhimin e të gjithë fondeve që vijnë nga fondacionet e brendshme. Më tej ai shtoi se të gjithë fondacionet së bashku me qeverinë, kanë rënë dakord për të krijuar një regjim të përbashkët për shpenzimet e parave që do të shkojnë për rikuperimin e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i 26 nëntorit.

“Edhe ato do të jenë pjesë e këtij grupi. Ne kemi ngritur një komitet është një instrument që merret pikërisht me menaxhimin e të gjithë fondeve që vijnë edhe nga fondacionet e brendshme për tërmetin. Në mënyrë që të koordinojmë çdo mjet financiar që vihet në dispozicion nga çdo kush për tërmetin në mënyrën sa më të mirë. Kemi rënë dakord, kanë rënë dakord edhe shoqatat kryesore që kanë një shumë të konsiderueshme të mbledhur deri më tani që të kemi një regjim të përbashkët të shpenzimeve të parave që do të shkojnë për rikuperimin nga dëmet që ka shkaktuar tërmeti”, përfundoi fjalën e tij ministri.

Top Channel