Kukësi i nëndheshëm… Njeriu që ndërtoi qytetin nëntokësor stalinist të Shqipërisë

05/02/2020 20:40

“Për rreth dy dekada, Feti Gjici, ka punuar në një projekt aq sekret saqë ai duhej të mbyllte planet në një kasafortë para se të largohej nga zyra, çdo mbrëmje. Ai nuk ka folur kurrë për to me miqtë apo familjen.” Kështu e nis britanikja “The Guardian” një reportazh për njeriun që ndërtoi atë që mund të quhet Kukësi i nëndheshëm, një sistem i pafund bunkerësh që qëndron nën qytet.

Sipas “The Guardian”, Gjici ishte arkitekti i qytetit të Kukësit, që punoi gjatë viteve të regjimit komunist nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, liderit paranojak dhe të izoluar që ishte i tmerruar nga mundësia e luftës dhe që ndërtoi me mijëra bunkerë betoni për të mbrojtur vendin nga kërcënimi i pushtimeve.

Në Kukës, thotë Guardian, planet shkuan akoma më tej. Detyra e Gjicit, që nisi në fillim të viteve 1970 dhe përfundoi me rënien e komunizmit, ishte të ndërtonte një kopje të nëndheshme të Kukësit, 30 metra nën qytetin e vërtetë. Planet e para, ishin për një seri bunkerësh. Në vitet 80 më pas me urdhrat e shefave të ushtrisë ai shtoi më shumë tunele dhe dhoma në projektin nëntokësor, përfshirë një hapësirë për një sallë shtypi, një spital dhe një mini-fabrikë buke.

Më pas u shtua energjia elektrike dhe rrjeti i ujit të pijshëm. Atje duhej të kishte edhe një qendër komande të ushtrisë, një pikë policie dhe një sallë gjyqi. Ideja ishte që 10 mijë njerëz të mund të jetonin nën tokë pa i munguar asgjë për të paktën gjashtë muaj.

“Sigurisht që në një kohë lufte, gjërat mund të ishin me kapacitet të reduktuar, por ideja ishte të kopjohej i gjithë qyteti nën tokë – kujton sot Gjici, në moshën 72-vjeçare. Ai shton se as bashkëshortja nuk ishte në dijeni të asaj që ai po bënte. Për shkak të fshehtësisë, Gjici kishte një ekip prej vetëm 30 punëtorësh ndërtimi dhe çdo punëtor kalonte më parë në sitën e shërbimeve sekrete për besueshmërinë politike. Punimet e Kukësit të nëndheshëm përfunduan në 1989 por para se i gjithë rrjeti të pajisej për funksionim të rregullt, regjimi ra.

Tani, pas 30 vitesh neglizhencë, kryebashkiaku i ri i Kukësit, Safet Gjici, do që të përfundojë atë që komunistët nisën thotë guardian, dhe më pas ta hapë për publikun. Ne duam ta kthejmë këtë në një atraksion për banorët vendas dhe turistët – thotë ai, duke pranuar se idetë e tij janë ende të mjegullta por se ai imagjinon restorante, dyqane etj. Në mars, ai shpreson të nënshkruajë një marrëveshje për 2,6 milionë euro fonde të BE për të nisur rinovimet. Por pa shumë para, planet e tij ambicioze mund të mbeten sërish në letër.

Top Channel