Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj po vazhdon të ushtrojë detyrën e shefit të ekzekutivit, ndonëse ka dhënë dorëheqje në korrik të vitit të kaluar. E javëve të fundit ka shpeshtuar mbledhjen e kabinetit të tij duke mos ia lënë keq ndarjen e mjeteve financiare dhe emërimet në pozita të njerëzve të caktuar.

Por stopimi i ndonjë investimi kapital, mungesa e përfaqësimit politik në arenën ndërkombëtare dhe mos qëndrimi sa i përket temave rajonale, po shihen si dëme të pa riparueshme që i janë bërë Kosovën në këto muaj, ku po zvarritet krijimi i qeverisë së re, nga partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndonëse të hënën është thirrur seanca plenare ku mandatari për kryeministër, Albin Kurti do ta paraqes kabinetin e tij për votim para të zgjedhurve të popullit, gjithë këto muaj negociata me LDK-në, për analistët politik kanë lënë pasoja negative për vendin.

Njohësi i rrethanave politike, Blerim Vela për KosovaPress, përmend se vendit po i bëhet dëme në aspektin e mungesës së një kontrolli për marrëveshjet e reja me Serbinë.

“Është përgjegjësi e LVV-së dhe LDK-së për mos ofrimin e një qeverie të re, sepse Qeveria e re nuk është thjesht që na nevojitet për të miratuar një buxhet të ri apo iniciuar projekte të reja kapitale, por edhe në raportin ndërkombëtar në negociatat me Serbinë duket se procesi është duke avancuar dhe mungesa e një kontrolli politik mbi këtë proces që do të ofronte qeveria e re është një dëm që po i bëhet interesave të shtetit. Kjo është përgjegjësi kryekëput e LVV-së dhe LDK-së që nuk po arrijnë të bëjnë marrëveshjen dhe të fillojnë punën në qeverisje bashkë”, thotë Vela.

Se stërzgjatja e formimit të qeverisë së re është e pajustifikueshme e thotë edhe analisti politik, Faton Abdullahu, i cili shton se duke mos pasur një qeveri aktive, ne nuk kemi një përgjigje për Mini-Shengenit, edhe as për shumë çështje të tjera.

“Kjo stërzgjatje e përpjekjes për të bërë qeveri është në çdo aspekt është e pajustifikueshme, për më shumë është se po ka zhvillime nga më të ndryshimet në Ballkan dhe më gjerë. Ne duke mos pasur Qeveri qind për qind aktive sepse është në ikje, dhe duke mos pasur qeveri të re, po vazhdojmë për të mos pasur përgjigje, qoftë për mini-shengenin, qoftë për involivimin e BE dhe ShBA-së për arritjen e marrëveshjeve të cilat tashmë po rrjedhin. Ne për shkak të kryeneqsisë të dy subjekteve politike nuk po marrin pjesë. Nuk jemi kreativ në gjithë ato marrëveshje, ka edhe marrëveshje të tjera të cilat mund të rrjedhin e ne nuk mund të jemi të vetëdijshëm sepse thjesht nuk kemi qeveri. Kjo stërzgjatje do të shohim se do të hakmerret edhe më pas sepse mund të vijnë edhe ç’njohje të reja sepse nuk e kemi qeverinë”, thotë ai.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradianj ka dhënë dorëheqje në korrik të vitit 2019, e zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur me 6 tetor të po atij viti.

Derisa kemi hyrë më muajin shkurt të vitit 2020 dhe ende Kosova nuk ka një qeveri të re të formuar pas këtij procesi zgjedhor. Partia fituese e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka disa muaj që është duke negociuar me Lidhjen Demokratike për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, por deri më tani një gjë e tillë nuk është arritur për shkak të dallimeve në ndarje të posteve

Top Channel